Fjalë Kyçe

Kuvendi mblidhet të hënën, pritet të votojë për Avokatin e Popullit

Kuvendi mblidhet të hënën, pritet të votojë për Avokatin e Popullit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen nesër në një seancë plenare, me pikën e vetme të rendit të ditës – zgjedhja e Avokatit të Popullit.

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore për Persona të Pagjetur dhe Peticione ka dërguar emrat e kandidatëve për Avokat të Popullit – Edona Hajullahu, Naim Qelaj, Xhavit Shala.

Që nga 2 korriku 2020, Institucioni i Avokatit të Popullit në Kosovë ka mbetur me ushtrues detyre. Hilmi Jashari, që mbajti këtë pozitë në pesë vjetët e fundit, ka mbetur pa mandat që nga kjo datë.

Jashari mbetet ushtrues detyre deri në zgjedhjen e Avokatit të ri, pasi që këtë ia ka mundësuar Kuvendi i Kosovës.

Me Ligjin për Avokatin e Popullit, procedura e përzgjedhjes së Avokatit të Popullit duhet të fillojë gjashtë muaj para skadimit të mandatit.

Ndryshe, procesi i përzgjedhjes së Avokatit të Popullit është shoqëruar me telashe edhe në të kaluarën. Para se Hilmi Jashari të zgjidhej në këtë pozitë, Kuvendi i Kosovës, në vitin 2015 kishte dështuar që t’i votonte kandidatët që ishin dërguar për votim në seancë. Kështu që ishte përsëritur konkursi ku votat e nevojshme i kishte marrë Hilmi Jashari.