Fjalë Kyçe

Kuvendi s’përkrah rezolutën e propozuar për arsim nga PDK-ja

Kuvendi s’përkrah rezolutën e propozuar për arsim nga PDK-ja

Kuvendi i Kosovës i ka thënë jo rezolutës së propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës për arsimin.

Vetëm 27 vota ishin pro këtij propozimi, ndërsa 50 kundër.

Pikat e kësaj rezolute të propozuar ishin:

Kuvendi obligon Qeverinë që të ndajë buxhet për mbështetje financiare shtesë mbi pagën bazë të personelit të institucioneve të nivelit të arsimit parauniversitar në shumën prej 100 euro për muajin prill, maj dhe qershor 2021.

Obligon Qeverinë që të rrisë mbështetjen për mësuesit dhe prindërit në mënyrë që ata t’i ndihmojnë fëmijët për të mbetur të angazhuar në shkollë.

Obligon Qeverinë që të hartojë planin për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë verës bazuar në një plan për mësim intensiv të natyrës së shkollave verore që duhet të koncetrohet në lëndët kryesore për të kompensuar humbjet e të nxënit të fëmijëve, veçanërisht për ata që rrezikojnë të mbesin prapa.

Obligon Qeverinë që pas marrjes së opinionit të IKSHPK-së nga e hëna mësimi të kthehet me orar të plotë dhe të rregullt.

Obligon Qeverinë që deri më 1 shtator të vaksinohen të gjithë mësimdhënësit në të gjitha nivelet, duke përfshirë institucionet publike dhe private në mënyrë që të jemi të përgatitur për fillim të vitit shkollor 2021/2022.

Obligon Qeverinë që të zhvillojë programe trajnuese për të përmirësuar aftësitë digjitale rreth mësimdhënies në distancë të mësuesve.

Obligon Qeverinë që të ndajë mjete financiare shtesë për komunat të cilat kanë nevojë me qëllim të rritjes së kapaciteteve dhe masave mbrojtëse dhe parandaluese nga virusi COVID-19 në institucionet edukativo-arsimore.

Obligon Qeverinë që të ndajë mjete financiare shtesë për institucionet publike të arsimit për qëllim të rritjes së kapaciteteve dhe masave mbrojtëse dhe parandaluese nga virusi COVID-19 në hapësirat universitare.

Obligon Qeverinë që të udhëzojë institucionet e arsimit të lartë që të hartojnë plane dhe udhëzues për përmirësimin e organizimit të arsimit sipas specifikave të fushave përkatëse studimore.