Fjalë Kyçe

Ky është gabimi që çoi në shkarkimin e shefit të AKI-së

Ky është gabimi që çoi në shkarkimin e shefit të AKI-së

Kërkesa e kryeministrit Avdullah Hoti, bërë sot drejtorit të AKI-së, Kreshnik Gashi, për të liruar detyrën është në koordinim të plotë me Presidencën, gjë që parashihet edhe me Kushtetutë.

Në një prononcim nga Presidenca, thuhet se ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga Hoti që sa më parë të dakordohen për emrin e drejtorit të ri.

“Ka pasur koordinim dhe dakordim të plotë ndërmjet u.d. presidentes, dr. Vjosa Osmani dhe kryeministrit Hoti sa i përket lirimit nga detyra të drejtorit të AKI-së . U.d presidentja ka kërkuar nga kryeministri që sa më parë të dakordohen rreth udhëheqësit të ri të AKI-së, mbi bazën e profesionalizmit, paanësisë politike dhe integritetit”, ka thënë për KOHËN Bekim Kupina, këshilltar për media i u.d. presidentes.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i ka kërkuar Kreshnik Gashit, lirimin e detyrës së drejtorit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI). Kështu është bërë e ditur nga Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate për media. Ndërkaq nuk janë dhënë më shumë detaje se pse i është kërkuar dorëheqja e tij.

Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Kreshnik Gashi, është ftuar nga Komisioni për mbikëqyrjen e AKI-së të raportojë në lidhje me raportimet se inspektorë të AKI-së kanë tentuar të marrin disa dokumente konfidenciale nga kasaforta e Presidencës së Kosovës.

Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Kreshnik Gashi, ishte ftuar nga Komisioni për mbikëqyrjen e AKI-së të raportojë në lidhje me raportimet se inspektorë të AKI-së kanë tentuar të marrin disa dokumente konfidenciale nga kasaforta e Presidencës së Kosovës. Edhe pas mbajtjes së takimit, deputetët nuk kanë dhënë detaje se çfarë është diskutuar.

Gashi, ishte emëruar në 2019-n nga Ramush Haradinaj, kur ishte kryeministër në detyrë. Gashi deri atëherë e kishte mbajtur postin e kryetarit të Bordit të Autoritetit Rregullativ të komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).

Në nenin 5.3 të Ligjit për AKI-në thuhet se “Presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me Kryeministrin, emërojnë së bashku Drejtorin e AKI brenda njëzet (20) ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë”, ndërsa në nenin 5.4 thuhet se drejtori i AKI-se shkarkohet nëpërmjet procesit të njëjtë me të cilin është emëruar.

KOHA ka kërkuar sqarim nga Presidenca lidhur me kërkesën e Hotit, pasi sipas Kushtetutës, shkarkimi bëhet vetëm pas koordinimit me presidentin, në këtë rast me u.d. së presidentes, Vjosa Osmani.