Gazeta Sinjali sot raportoi se i dyshuari për incidentin që ndodhi më 6 korrik, në hotelin ‘Vita’ në fshatin Vragoli të Fushë Kosovë, ku dyshohet se kërcënoi me armë një person tashmë është është ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit. Ndaj tij, po ashtu është kërkuar edhe caktimi i masës së paraburgimit, nën dyshimet për dy vepra penale.
Burimet thonë se bëhet fjalë për Mehmet Ajvazin, i cili për motive ende ta panjohura e ka kërcënuar me armë një shtetas italian, në hapësirat e hotelit, mbrëmjen e 6 korrikut.
Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë bërë të ditur për Sinjalin se Ajvazi dyshohet për veprat penale “kanosja” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”
“Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit është ndaluar personi për të cilin keni parashtruar pyetje, për shkak të veprave penale “Kanosja” (me armë) dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, të parapara sipas KPRK-së, si dhe, ndaj të njëjtit është paraqitur kërkesa për caktim të paraburgimit në gjykatën kompetente”.
Çka ndodhi më 6 korrik në hotelin ‘Vita’?
Konflikti nisi atë natë, rreth orës 21:30, kur i dyshuari e nxori armën dhe ia drejtoi viktimës, shtetasit italian, duke e kërcënuar, çka i shkaktoi atij shqetësim. Si pasojë e frikës, viktima dyshohet se ka tentuar ta gjuajë të dyshuarin me një karrige, por pa dashje e ka goditur kolegun e tij romun.
Shtetasi romun ka përfunduar në Emergjencë si pasojë e lëndimeve të marra aksidentalisht nga kolegu i tij, ndërsa i dyshuari fillimisht iku nga vendi i ngjarjes. Ai ishte kontaktuar nga Policia e Kosovës, të cilëve u ka thënë se ndodhet në spital, por s’ka dhënë më shumë detaje.
Ndërkohë, në lidhje me rastin, hetuesit policorë kanë marrë deklaratat e dy dëshmitarëve, të cilët kanë përshkruar se si ndodhi përleshja.
Sinjali do të ju mbajë të informuar për zhvillimet e reja në lidhje me rastin.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.