Pasi arriti ta shënojë golin e parë të ndeshjes për Werder Bremenin, kundër Dortmundit, Milot Rashica e ka shfrytëzuar llogarinë e tij në Instagram për t’i falënderuar tifozët për mbështetjen dhe për t’ia uruar klubit të tij ditëlindjen.
Rashica i ndihmoi Werder Bremenit të kalojë në çerekfinale të Kupës së Gjermanisë, duke e mposhtur Borussia Dortmundin të martën në Signal Iguna Park në një ndeshje tejet dramatike, shkruan Gazeta Express.
“Çfarë ndeshje fantastike!! Mbështetja e tifozëve ishte e mrekullueshme, faleminderit! #vazhdotëluftosh Urime ditëlindjen Werder Bremen”, ka shkruar Rashica në llogarinë e tij në Instagram, pas përfundimit të ndeshjes.
Anësori i Kosovës hapi serinë e golave duke e devijuar një top në portë pas një harkimi nga Max Kruse pas vetëm katër minutave lojë. Vendasit reaguan duke e barazuar rezultatin në 1-1 përmes Marco Reus në minutën e fundit të pjesës së parë. Gjermani realizoi një gol spektakolar nga gjuajtja e lirë.
Kohfeldt e zëvendësoi Rashicën në minutën e 66-të, duke e futur në lojë Martin Harnikun. Koha e rregullt prej 90 minutave u mbyll pa fitues. Ndeshja kaloi në vazhdime dy herë nga 15 minuta. Këtu edhe u zhvillua një dramë e vërtetë gjatë të cilës u shënuan plot katër gola, nga dy gola secila skuadër.
Në fund, Werder Bremeni u tregua tepër i fortë për Dortmundin në penallti dhe Bremeni i Rashicës e siguroi kualifikimin në çerekfinale.
Rashica ka luajtur në gjithsej 14 ndeshje për Bremenin gjatë këtij sezoni. Gjatë këtyre ndeshjeve, ai ka arritur t’i shënojë tri gola dhe ta asistojë një tjetër.