Mosha mesatare e përdoruesve të lëndëve narkotike bie nga 21 në 16. Gjithsej 35 mijë përdorues në nivel vendi.
Përdorimi i substancave narkotike është shndërruar në fenomen në Kosovë.
Madje shumë shqetësuese është edhe përdorimi i lëndëve narkotike nga të rinjtë.
Këtë e kanë vërejtur edhe në Institucionin e Avokatit të Popullit.
Sipas Hilmi Jasharit, mosha mesatare e përdoruesve të lëndëve narkotike ka rënë në mënyrë drastike.
E për qarkullimin e lëndëve narkotike në Kosovë, janë në dijeni edhe në qendrën “Labyrinth”.
Nga kjo organizatë që merret me trajtimin e të varurve nga lëndët narkotike, thonë se numri i të rinjve që konsumojnë substanca narkotike është shumë i madh.
Safet Blakaj, nga “Labyrinth”, shtoi se të rinjtë kanë qasje të lehtë në substanca narkotike.
E një nga vendet ku më së shumti konsumohet këto substanca mbeten shkollat.
Për këtë janë në dijeni edhe në Këshillin e Nxënësve të Prishtinës.
Amar Rama, kryetar i KNP-së, thotë se brenda objekteve shkollore ka filluar të bjerë konsumimi për arsye të sigurimit fizik.
Por, janë të shqetësuar se nxënësit kanë qasje të lehtë në droga jashtë objekteve shkollore.
Ndërkohë, televizioni T7 për këtë çështje ka kërkuar informacione edhe nga Policia e Kosovës.
Këta kanë treguar të dhëna për aktivitetin policor në afërsi të shkollave.
Policia ka bërë të ditur se në afërsi të shkollave dhe rreth tyre, janë arrestuar 198 persona, ndërsa 66 nga ta kanë qenë nxënës.