“Kosova është vendi më pro-Amerikan në botë, falë fushatës së bombardimit të vitit 1999, që udhëhiqej nga Amerika”. Kështu e fillon një artikull për Kosovën NBC News, ku citon ish-të dërguan e posaçëm të Bashkimit Evropian në Bosnje të ketë thënë se Trump ka një plan special për Kosovë.
Artikulli fillon me një përshkrim historik të Kosovës, duke treguar për bombardimet e NATO-s të që zgjatën për 78 ditë, dhe që në fund rezultuan me largimin e forcave ushtarake serbe nga Kosova.
Kosova sot, pas dy dekadash ka 4000 trupa të NATO-s ndër ta 650 amerikanë, por gjithsesi mbetet vend i ndarë dhe jostabil.
Artikulli përshkruan edhe se dashuria e Kosovarëve vërehet ku në mes të kryeqytetit gjendet statuja e Bill Clinton dhe sheshi George Bush. Nuk mbetet edhe pa u përmendur dyqani i rrobave i quajtur Hillary.
Edhe pse lufta ka kaluar, Serbia kurrë nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ashtu siç ka vepruar Rusia, Kina, Spanja dhe shumë vende të tjera të botës. Madje Kosova ka mbetur e bllokuar sa i përket anëtarësimit në organizata ndërkombëtare siç janë: NATO, OKB ose BE, raporton NBC News, transmeton Gazeta Express.
Serbia do që të jetë anëtare e BE-së gjithashtu. Në mënyrë që të gjendet një rrugë e përbashkët, një plan muajve të fundit është shpalosur në publik për shkëmbim territoresh mes fqinjësh.
Mbështetësit e kësaj ideje thonë që rajoni do të largohet nga e kaluara e përgjakshme për një të ardhme më të mirë, ndërsa ata që e kundërshtojnë idenë thonë që ridizajnimi i kufijve në vija etnike, nuk i shkon për shtati konceptit të multikulturalizmit.
Rihapja e temës së kufijve mund të provokojë dhunë nga nacionalistët e të dy anëve.
Artikulli citon edhe publicistin Veton Surroi i cili thotë se ideja e korrigjimit të kufijve “është një recetë për në ferr”, ndërsa citon edhe një qytetar të Mitrovicës se Veriut i cili thotë se një ide e tillë do të krijojë shumë komplikime në rajon.
Në vazhdim, shkrimi përshkruan edhe Hashim Thaçin si person i cili ishte njëherë udhëheqës i UÇK-së, tani President i Kosovës, ndërsa nuk e lë pa e cituar edhe raportin e Dick Martyt, në të cilin Thaçi akuzohet për trafikim organesh.
“Disa në Kosovë besojnë se Hashim Thaçi dhe aleatët e tij janë vetëm të interesuar që të bëjnë një marrëveshje me Serbinë në mënyrë që të shpëtojnë nga gjykata Speciale në Hagë. Por Presidenti fuqishëm i ka mohuar akuzat” shkruan NBC.
“Në anën tjetër, Vuçiq ka qenë Ministër i informacionit të Serbisë gjatë kohës sa NATO po bombardonte Serbinë. Ai shërbeu si administrues I Presidentit Sllobodan Millosheviq, i cili u akuzua për krime lufte dhe gjenocid gjatë luftërave të viteve 90-ta në ish Jugosllavi.”
“Pa marrë parasysh cilat janë motivet e Trumpit, shumë e shohin letrën që ai i dërgoi Presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, si ndërhyrje, jo vetëm nga politikanë lokalë por edhe nga liderët Evropianë, që e kundërshtojnë idenë e shkëmbimit të territorit”, shkruan më tutje NBC News.
Ndërsa citon ish të dërguarin special të BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schawrz-Schilling, i cili ka thënë se Trump ka në plan që Kosovën ta bëjë anëtare të NATO’s, ndërsa Serbinë nën ndikim rus.
“Ka pasur spekulime se Trump ka marrëveshje me presidentin rus, Vladimir Putin, se Kosova të hyjë në NATO, ndërsa Serbia të mbetet nën influencën Ruse.”
As Presidenti Thaçi e as Presidenti Vuçiq, nuk kanë dhënë detaje për idenë e shkëmbimit të territorit, por ata vetëm kanë thënë se do ta bisedojnë një çështje të tillë.
Një ndarje mund ta ndante qytetin e Mitrovicës në dy pjesë, ku lumi Ibër mund të jetë sikur Muri i Berlinit. Tashme qyteti është i ndarë në vija etnike, ku shqiptarët jetojnë në jug ndërsa serbët në veri.
Artikulli përfundon me një përshkrim të grupit të muzikës Rock, i quajtur Electraheart, i cili është i përbërë nga shqiptarë dhe serb.