Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se është përgjegjësi e kryeministrit Ramush Haradinaj, të mbajë taksën ashtu siç e ka vendosur e ka premtuar se do ta mbajë, por në të njëjtën kohë, edhe të ruajë raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në intervistën e Javës në Koha.net, kur ka folur për taksën dhe përplasjen që taksa ka shkaktuar mes partnerëve në koalicionin qeverisës, Osmani tha se një situatë e tillë ka qenë e parashikueshme, duke pasur parasysh me çfarë joserioziteti është vënë kjo masë, dhe pa u diskutuar me opozitën.
“Kryeministri ka premtuar ta mbajë vendimin për këtë taksë, dhe tash duhet ta mbajë, por të njëjtën kohë duhet të jetë i gatshëm që të argumentojë para miqve tanë se sa e rëndësishme është taksa, jo vetëm në raport me Serbinë por edhe me të tjerët. Mirëpo mos të lejojë të shkatërrohen raportet me SHBA-në, sepse, taksa mund të mbahet por Kosova nuk mund ta ecë rrugën e sfidave të mëdha në raport me Serbinë, e vetme. S’mund ta ecë këtë rrugë pa e pasur SHBA-në në krah. Ne kemi pasur sukses vetëm kur SHBA-ja na ka përkrahur”, tha Osmani.
Osmani tha se pas dështimit në Interpol, me qëllim që të mbulohen dështimet e qeverisë aktuale, u vendos taksa, siç e ka quajtur ajo vendim euforik dhe pa analizë.
Ajo ka thënë se LDK-ja mbështet masat e reciprocitetit në raport me Serbinë, por për vendime të tilla të cilat kanë implikime edhe në raport me miqtë e Kosovës, duhet unifikim nga të gjitha partitë.
“Kryeministri e ka obligim që jo vetëm ta mbajë taksën ashtu siç ka premtuar deri në njohje nga Serbia, por në të njëjtën kohë mos të lejojë të bëhet një dëm edhe më i madh për Kosovën. Ta mbajë edhe taksën edhe miqësinë me SHBA-në”, tha ai.
Osmani, ka propozuar se kryeministri duhet të ulet bashkë me SHBA-në dhe të hartojnë një pako të masave të cilat kërkohen nga Serbia dhe të cilat në fund rezultojnë me njohje, si lloj përgatitje për pezullim gradual të taksës.
“Kryeministri e vendosi këtë taksë pa u konsultuar me ne si opozitë prandaj edhe vendimi final i takon atij. Por ne insistojmë të mos injorohen raportet me SHBA-në sepse pastaj injorimi që do të jetë për Kosovën në kontekst ndërkombëtar do të jetë tepër i madh”, tha deputetja Osmani.