Fjalë Kyçe

Ky është punëtori i Postës që dyshohet se i vodhi ndihmat sociale në Gjilan

Ky është punëtori i Postës që dyshohet se i vodhi ndihmat sociale në Gjilan

Gjykata Themelore e Gjilanit i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit Bujar Murtezi, i cili në cilësinë e zyrtarit në Postën e Kosovës në Gjilan, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, gjatë muajit tetor 2020, ka përvetësuar ndihmat sociale të disa personave, në vlerë prej 1,700 euro, shkruan Reporteri.net.

Gazeta Online “Reporteri.net”, ka mësuar se punëtori i cili keqpërdori ndihmat sociale të muajit tetor është Bujar Murtezi. Ai dyshohet se i ka përvetësuar mjetet financiare të 16 personave.

“Njësia kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit Gjilan ka pranuar një denoncim nga ankuesei A.Q menaxher ragjeional i Postës së Kosovës në Gjilan i cili ka denoncuar një rast të përvetësimit në detyrë ndaj të dyshuarit po ashtu zyrtar i Postës me inicialet B.M në pozitën e zyrtar i sportelit të Postës në Gjilan, nën dyshimin për përvetësimin në detyrë. I dyshuari gjatë veprimtarisë së tij, si zyrtar sporteli ka arritur të përvetësojë mjetet financiare të 16 personave të dëmtuar në vlerë rreth 1700 euro të cilët janë përfitues të ndihmave sociale mujore”, i ka thënë Reporterit.net një burim brenda Policisë së Gjilanit.

Lidhur me këtë rast NJHRKEK në Gjilan ka intervistuar tre dëshmitarë të cilët kanë pohuar se mjetet financiare për muajin Tetor 2020 nuk kishin arritur t’i tërhqinin ndërsa dyshohet se këto mjete financiare janë përvetësuar nga i dyshuari Bujar Murtezi.

“Një gjë e tillë është vërtetuar edhe nga zyrtarët përgjegjës të postës”, ka thënë ky burim i Reporterit.

NJHERKEK në Gjilan është në fazën e grumbullimit të dëshmive shtesë dhe intervistimit të dëshmitarëve dhe të dëmtaurve të tjerë.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që caktimi i masave tjera alternative do të pengonin zhvillimin normal të procedurës penale.