Fjalë Kyçe

Ky është vlerësimi i trajnerit të Real Madridit për Messin

Ky është vlerësimi i trajnerit të Real Madridit për Messin

Real Madridi dhe Barcelona do të ndeshen sonte për gjysmëfinalen e parë të Kupës së Mbretit. Ndeshja do të zhvillohet në Camp Nou në orën 21:00, por ende nuk dihet nëse Lionel Messi do të jetë titullar.

Pavarësisht se a do të luajë nga minuta e parë apo jo, komentet që trajneri i Real Madridit, Santiago Solari, i kishte bërë për argjentinasin në vitin 2012 janë shpërndarë gjithandej në rrjete sociale përsëri, disa ora para se të fillojë El Clasico, transmeton Gazeta Express.

“Shënimi i golave është diçka e natyrshme për Messin në të njëjtën mënyrë si stuhitë, uraganet dhe vetëtimat janë fenomene atmosferike”, kishte thënë trajneri argjentinas për gazetën spanjolle, El Pais.

“Çdo herë që Messi e merr topin, të gjithë mbeten të heshtur dhe trajnerët kundërshtarë e ulin kokën dhe i vënë duart në xhepa, si dikush që sapo e ka parë vetëtimat dhe tani nuk mund të bëjë asgjë përveç se ta presë murmurimën. Pastaj dëgjohet goli”.

“Cristiano është futbollisti më i mirë në botë sepse Messi e luan një sport tjetër. Gjëja me të vërtetë e mrekullueshme për të është stabiliteti i pabesueshëm që ai e ka pasur gjatë katër apo pesë viteve të fundit. Ai thjesht nuk ndalet, kjo është praktikisht diçka jashtëtokësore”.

Sa i përket El Clasicos që do të zhvillohet sonte, shqetësimi më i madh për katalonasit është nëse Messi do të arrijë të luajë nga minuta e parë për këtë ndeshje, pasi pësoi lëndim në ndeshjen kundër Valencias. Argjentinasi është pjesë e skuadrës së ftuar për këtë ndeshje, por nuk dihet nëse do të jetë titullar.

Përkundër që është 31-vjeçar, argjentinasi e ka dëshmuar këtë sezon se ai mund të vazhdojë të luajë në nivelin më të lartë të futbollit ende. Në vetëm 27 paraqitje për këtë sezon, ai i ka shënuar 29 gola dhe i ka asistuar 17 të tjera.