Barcelona i rikthehet kampionatit dhe trajneri Ernesto Valverde pritet të rreshtojë në fushë sërish formacionin më të mirë të mundshëm, pavarësisht se kalendari i ofron për kundërshtar skuadrës katalanase një ekip si Eibar, që aktualisht pozicionohet në vendin e 13-të, me vetëm 3 pikë më shumë se zona e ftohtë e tabelës së renditjes.
Të enjten në mbrëmje 54-vjeçari nga Extremadura e filloi takimin në Kupën e Mbretit ndaj Levantes vetëm me dyshen Busquets-Dembele, duke i dhënë kështu hapësirë gjithë lojtarëve të tjerë që përgjithësisht kanë ngrohur stolin ose i kanë ndjekur ndeshjet nga tribuna.
Një zgjedhje e tillë nuk është se dha rezultat, pasi skuadra valenciane fitoi sfidën me rezultatin 2-1, madje Barça ishte me shumë shumë fat që u mund nga Levante me shifra minimale. Skuadra blaugrana ka dominuar Kupën e Mbretit gjatë dekadës së fundit, duke fituar për më tepër edhe katër edicionet e fundit, sidoqoftë është e kuptueshme këtë sezon drejtuesit e klubit synojnë lavdinë në Champions, ku Barcelona për hir të së vërtetës ka fituar vetëm 1 nga 7 edicionet e fundit.
Ndeshja e kthimit me Levanten në Kupën e Spanjës do të mbahet të enjten e ardhshme, e me shumë gjasa Barça përsëri do ta luajë atë sfidë kryesisht me zgjedhjet e dyta, gjithsesi është e kuptueshme që në Primera Division ndaj Eibarit të rikthehet artileria e rëndë, ku spikat treshja më e mirë e kampionatit spanjoll Messi-Suarez-Dembele, që ka shënuar 35 gola gjithsej. Ndeshja do të zhvillohet në orën 18:30, në Camp Nou, stadium ku Barça do të luajë tre sfidat e radhës, për kupë dhe për kampionat.
Në krahun tjetër ekipi bask paraqitet me vetëm 1 humbje në 9 ndeshjet e fundit, por nuk do të ketë në dispozicion sulmuesin më të mirë Charles, gjithsesi nuk është ndonjë detaj që pritet të influencojë, duke patur parasysh që skuadra blaugrana ka fituar pa shumë probleme tetë përballjet e fundit ndërmjet dy klubeve.
Në mbrëmje në orën 20:45 do të luhet takimi Real Betis-Real Madrid. Kjo është ndeshja përmbyllëse e fazës së parë për klubin madrilen, megjithatë për momentin ekipi i Santiago Solarit ka plot 10 pikë diferencë me kampionët në fuqi. Në Benito Villamarin ekipi merengues ka regjistruar në pesë vitet e fundit fitore me shifra të ekzagjeruara, 5-0, 6-1 dhe 5-3, sidoqoftë gjërat kanë ndryshuar dhe tani thjesht sa për të marrë shembuj Reali ka statistika më të dobëta jashtë fushe edhe se sa Reali i Valladolid-it, Levante apo Girona, për më tepër nën drejtimin e 60-vjeçarit Quique Setien bardhjeshilët renditen në vendin e gjashtë, me vetëm katër pikë më pak sesa klubi madrilen, transmeton SS.
Athletic Bilbao dhe Sevilla do të përballen tre herë në harkun e vetëm shtatë ditëve, e kështu pas triumfit të skuadrës andaluziane me rezultatin 3-1 në Kupën e Mbretit dy ekipet do të masin forcat sërish në orën 16:15 në San Mames Barria, stadium ku në fakt Sevilla ka humbur radhazi tetë ndeshjet e fundit në Primera Division.