Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Takimi ka filluar në orën 14:00, ndërsa mediave iu lejua të marrin vetëm pamje.
Pas takimit me Osmanin, Lajçak do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti nga ora 15:00.
Një orë më pas, Lajçak do të pritet nga kryeministri Kurti, siç bëri të ditur sot Qeveria e Kosovës.
Nga Bashkimi Evropian gjatë ditës së djeshme kanë thënë se ky takim është pjesë e kontaktit dhe ndërveprimit të vazhdueshëm të Lajçak me partnerët për t’i ndihmuar të ecin përpara në Dialog.
“Kjo është pjesë e kontaktit dhe ndërveprimit të tij të vazhdueshëm me partnerët për t’i ndihmuar ata të ecin përpara në procesin e Dialogut të lehtësuar nga BE”, tha zëdhënësi Peter Stano në një përgjigje dhënë për Reporteri.net.
Gjatë ditës së djeshme pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, Lajçak tha se me të kanë bërë një bilanc mbi gjendjen në dialog si dhe kanë folur edhe për hapat e ardhshëm në normalizimin e marrëdhëneve mes dy vendeve.
“Me të mbërritur në Beograd këtë mëngjes, u takova me Presidentin, Aleksandar Vuçiq. Në diskutimin tonë, u fokusuam në perspektivën strategjike për vitin 2024, bëmë një bilanc mbi situatën aktuale në dialog dhe folëm për hapat e ardhshëm në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, shkroi Lajçak në platformën “X”.
Lajçak, është takuar me edhe kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq.
Ai paralajmëroi një takim midis dy kryenegociatorëve, Besnik Bislimi nga Kosova dhe Petar Petkoviq nga Serbia, i cili sipas tij mund të ndodhë së shpejti në Bruksel, për të vazhduar me negociatat.