Hulumtuesi në Forumin Ballkanik, Samir Behariq, ka thënë se përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka dhënë një përgjigje arrogante kur është pyetur nëse shtetet e Ballkanit duhet t’i besojnë BE-së, pas dështimit të saj që t’ia sigurojë Kosovës liberalizimin e vizave.
Behariq, përmes një postimi në Twitter tregoi se Lajcak në mënyrë arrogante i kishte dhënë përgjigjen: “Nëse nuk i besoni BE-së, shkoni diku tjetër’’.
Lajcak ishte pyetur nëse Maqedonia e Veriut duhet t’i besojë BE-së për negociatat për anëtarësim, duke pasur parasysh se kanë dështuar në rrugën për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Tash është bërë trend të kritikohet BE-ja për liberalizimin e vizave, por liderët e Kosovës duhet të shkojnë në shtetet që po bllokojnë lëvizjen që të pajtohen”, ka vazhduar Lajçaku, derisa ka pranuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme.
Kosova ka vite të tëra që është në pritje të liberalizimit të vizave, premtim ky që është dhënë herë pas herë nga përfaqësuesit e BE’së, duke thënë se janë përmbushur kriteret dhe kjo do ndodhë në një afat të shkurtër kohor, derisa ende nuk ka ndodhur.