Emisari i BE-së për dialogun Kosovë Serbi, Miroslav Lajçak, sot pasdite në Beograd do të takohet me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takim i aranzhuar ditë më parë.
Vizita e Lajçak në Beograd vjen pas asaj në Prishtinë, ditë më parë.
Ndërkohë, dje gjatë dy ditëve të fundit, në Prishtinë qëndroi edhe emisari i SHBA-së, Gabriel Escobar.
Escobar bëri të ditur se të martën në Bruksel do të bisedohet për çështjen e dinarit, ndërsa i kërkoi Kosovës të jetë fleksibile.
Ai tha se me Kurtin ka pasur bisedë të mirë, ndërsa theksoi se Kryeministri i ka premtuar se do t’i shqyrtojë propozimet e tij.
Zyra për media e Presidentit të Serbisë ka bërë me dije se takimi Vuçiq-Lajçak do të fillojë në ora 18:00.
Vuçiq më herët ka deklaruar se në takimin me Lajçakun, ndër të tjera, do të diskutojë edhe për votimet për heqjen e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës.
Lajçak ka vizituar Kosovën javën që shkoi ku ka takuar zëvendëskryeministrin Bislimi me të cilin ka folur për zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe çështjen e dinarit.