Fjalë Kyçe

Lajm i madh për futbollin kosovar

Lajm i madh për futbollin kosovar

Sot në selinë e FFK-së është mbajtur konferencë për media me rastin e anëtarësimit të gjyqtarëve të FFK-së në Konventën e Gjyqtarëve të UEFA-s, shkruan GazetaAlo.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin presidenti Agim Ademi, sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, Alan Snoddy instruktor i referimit nga UEFA dhe Përparim Hasani, kryetar i Komisionit të Gjyqtarëve të FFK-së.

Presidenti Ademi e ka vlerësuar shumë të rëndësishëm anëtarësimin e gjyqtarëve tanë në Konventën e Gjyqtarëve të UEFA-s, derisa e ka falënderuar instruktorin Alan Snoddy për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ngritjen profesionale të gjyqtarëve tanë.

“Tashmë edhe gjyqtarët tanë do të jenë të barabartë me të gjithë gjyqtarët e futbollit të federatave tjera dhe kjo pa dyshim na bënë krenar. Me këtë rast dua të falënderoj mikun tonë, të cilin lirisht mund ta quajë mësuesi ynë, Alan Snoddy, i cili ka punuar vazhdimisht me ne dhe është më i merituari për këtë sukses, pasi përveç që e ka përgatit gjithë ekipin dhe gjyqtarët, si në anën teorike edhe në atë fizike, ai po ashtu na ka ndihmuar për përgatitjen e gjithë dokumentacionit të nevojshëm për pranim në Konventën e Gjyqtarëve të UEFA-s. Unë e falënderoj Alanin përzemërsisht dhe sigurisht se ai do të vazhdojë të jetë gjatë me ne, sepse ende kemi nevojë për ndihmën e tij”, ka theksuar presidenti Ademi, i cili po ashtu ka falënderuar kryetarin e Komisionit të Gjyqtarëve, Përparim Hasani, i cili së bashku me ekipin e tij ka bërë një punë të shkëlqyeshme dhe i ka përmbushur të gjitha kriteret që janë kërkuar për anëtarësim në Konventën e Gjyqtarëve.

Ndërkaq, instruktori i UEFA-s, Alan Snoddy ka bërë një retrospektivë të gjithë procesit të anëtarësimit në Konventë, punë e cila ka nisur në shtator të vitit 2016 , kur presidenti tashmë i ndjerë Fadil Vokrri kishte zhvilluar takimin e parë me zyrtarët e UEFA-s për këtë çështje.

“Sigurisht se sikur sot të ishte në jetë Fadil Vokrri do të ishte krenuar me këtë anëtarësim. Por, unë përgëzoj edhe presidentin Agim Ademi dhe sekretarin Eroll Salihu që e kanë vazhduar punën e shkëlqyeshme dhe po e bëjnë të mundur gjithë këtë progres të gjyqtarëve. Pas më shumë se dy viteve punë të vazhdueshme ka ardhur edhe shpagimi, duke u anëtarësuar në Konventë. Për këtë arritje dua të falënderoj Visar Kastratin, i cili ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Sigurisht se anëtarësimi në Konventë ofron mundësinë për mbështetje financiare për projektet zhvillimore dhe ngritjes profesionale të gjyqtarëve, por edhe të vëzhguesve dhe instruktorëve. Ne emër të UEFA-s iu them se ne do të vazhdojmë t’iu monitorojmë dhe t’iu përkrahim. Për mua është një ndjenjë e veçantë ta përcjellësh Kosovën për dy vite e gjysmë dhe ta shohësh duke u anëtarësuar në Konventën e Gjyqtarëve të UEFA-s. Ndarja e drejtësisë nuk është punë e lehtë. Është e pamundur të jesh i përkryer në çdo aspekt të lojës dhe në çdo ndeshje. Në çdo ndeshje lojtarët bëjnë gabime, trajnerët bëjnë gabime dhe normalisht gjyqtarët bëjnë gabime. Gjyqtarët nuk janë robotë, nuk munden të jenë gjithmonë të saktë, por sfida është që ne të synojmë t’i minimizojmë gabimet”, ka theksuar Alan Snoddy.

Anëtarësimit në Konventën e Gjyqtarëve të UEFA-s iu ka gëzuar edhe kryetari i Komisionit të Gjyqtarëve, Përparim Hasani.

“Më të vërtetë kemi punuar shumë në këtë drejtim por sigurisht se nuk do të arrinim deri këtu pa përkrahjen e presidentit Agim Ademit dhe sektarit të përgjithshëm, Eroll Salihu, por normalisht edhe përkrahjen e ish-presidentit të ndjerë, Fadil Vokrri dhe sidomos të Alan Snoddyt, i cili gjithmonë ka qenë i gatshëm të na japë sugjerimet e tij”, ka thënë Hasani.

Në fund të konferencës, presidenti i FFK-së, Agim Ademi ia ka ndarë instruktorit të UEFA-s, Alan Snoddy një plaketë me stadiumin “Fadil Vokrri” në shenjë mirënjohje për kontributin e dhënë për avancimin e gjyqtarëve të futbollit të Kosovës. /GazetaAlo.com