Fjalë Kyçe

Lajm i mirë për kombëtaren e Kosovës

Lajm i mirë për kombëtaren e Kosovës

Milot Rashica, Benjamin Kololli e Herolind Shala do të jenë të gatshëm për ndeshjet e Përfaqësueses së Kosovës, ato të muajit të ardhshëm. Ndërkohë, përzgjedhësi Bernard Challandes nuk do t’i ketë sërish në dispozicion Arbër Zenelin e Hekuran Kryeziun.

Kryeziu javën e shkuar nisi stërvitjet pas rikuperimit nga lëndimi që e mbajti jashtë fushave prej muajit prill, por është kohë e shkurtër të përgatitet për ndeshjet e 11 dhe 14 tetorit. E Zeneli vetëm muajin tjetër do të nisë me stërvitje, shkruan sot Koha Ditore.

Të gjithë këta futbollistë i munguan Kosovës në ndeshjet eliminatore të këtij muaji për “Euro 2020”, ndaj Çekisë dhe Anglisë. Muajin e ardhshëm, Kosova do ta zhvillojë një ndeshje miqësore dhe një eliminatore.

Më 11 tetor do të përballet me Gjibraltarin, derisa tri ditë më vonë do të luajë me Malin e Zi. Të dyja ndeshjet do të zhvillohen në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.

Dueli me Malin e Zi vlerësohet shumë i rëndësishëm për ecurinë e Kosovës në eliminatore.

Aktualisht, Kosova është e treta në Grupin A me tetë pikë, një më pak se Çekia që zë vendin e dytë. Pozita e dytë në grup është synim i Kosovës në këtë fushatë, që mbyllet në muajin nëntor të këtij viti.