Kryetarit të PDK-së Kadri Veselit, i është konfirmuar aktakuza nga Prokuroria Speciale. Këtë e ka bërë të ditur vetë partia përmes një komunikate për media, rë enjten.
Përmes njoftimit, Veseli ka thënë se për aktakuzën është njoftuar të mërkurën pasdite.
“Përmes kësaj deklarate, dua t’i informoj qytetarët e Kosovës se kam bërë aranzhimet e nevojshme për të udhëtuar vullnetarisht drejt Hagës në mënyrë që t’iu përgjigjem këtyre akuzave. Nuk do të komentoj më shumë kësaj radhe”, ka thënë ai.
Veseli tutje ka shtuar se ai nuk i sheh Dhomat e Specializuara si fyerje ndaj luftës së UÇK-së, duke shtuar se e sheh si mundësi që më në fund t’i përgjigjen dyshimeve e thashethemeve që kanë qarkulluar për një kohë të gjatë/
Veseli thotë se “që kur Dick Marty publikoi raportin e tij të pabazuar, ishte e pashmangshme që kjo ditë do të vinte. Ishte e pashmangshme që akuzat e tij të padrejta do të duhej të testoheshin në një gjykatë, në mënyrë që tu jepej fund njëherë e mirë. Kjo është arsyeja që unë e kam përkrhaur themelimin e këtij tribunali, dhe kjo është arsyeja që unë tani jam i gatshëm që të luaj rolin tim në këtë proces”.
“Më shumë se njëzet vite kanë përfunduar që nga përfundimi i luftës çlirimtare. Kosova tani është një shtet i pavarur, dhe është në rrugën e sigurt për tu bërë anëtar i Kombeve të Bashkuara. Pasi që aspirojmë që të trajtohemi si partner të barabartë me shtetet e tjera, liderët tanë politikë duhet të jenë në lartësinë e kësaj sfide dhe të sillen si burrështetas të kalibrit ndërkombëtar. Kur liderët e përveçëm thirren për të bashkëpunuar me një tribunal ndërkombëtar, ne duhet të veprojmë kështu pa hezitim. Edhe nëse ka akuza të bëra kundër nesh, atyre ju duhet dhënë përgjigja në mënyrën e duhur, me faktet e së vërtetës. Unë këtë jam duke e bërë”, ka thënë ai.
Veseli thotë se ka besim të plotë në objektivitetin dhe paanshmërinë e gjykatësve, dhe ka kërkuar nga të gjithë në Kosovë që të tregojnë gjithmonë respektin e duhur për autoritetet e drejtësisë.
“Ky proces ka për qëllim të arrijë tek e vërteta. Nuk ka asnjë arsye për të pasur frikë nga e vërteta. Nuk duhet ndërmarrë asnjë përpjekje për të minuar punën e tribunalit, e as për të penguar dhe ndërhyrë në ndonjë mënyrë në këtë proces. Gjykata duhet të lejohet të kryej detyrën e rëndësishme që ne i kemi besuar. Integriteti i këtij procesi duhet të respektohet në çdo kohë dhe nga çdo kush. Drejtësia nuk i shërben interesit të njërës anë apo tjetrës, por i shërben interesit të popullit. Prandaj nëse ju kërkohet që të ndihmoni Dhomat e Specilizuara, ju lutem pranojeni pa hezitim. Në këtë mënyrë, ne të gjithë do ia dalim të arrijmë tek e vërteta. Prandaj, do të kërkoja nga të gjitha segmentet e shoqërisë tonë që të përballen me këtë situatë me qetësi dhe dinjitet, të bindur se gjyqtarët do të japin një verdikt të drejt në fund të procesit”, ka shtuar tutje ai..
Veseli ka thënë se duhet pasur parasysh që Tribunali u krijua nga Kuvendi i Kosovës për të shërbyer në emër të popullit.
Sipas tij, ajo është mishërimi i parimit se nuk mund të ketë paqe pa drejtësi, dhe nuk mund të ketë drejtësi pa paqe.
Veseli thotë se se edhe pse e ka selinë në Hagë, ajo është pjesë e sistemit tonë ligjor.
Sipas tij, nuk duhet të ketë asnjë hatërmbetje drejtuar ndaj ndërkombëtarëve që punojnë në këtë tribunal.
Ai tutje ka thënë se e vlerëson që Dhomat e Specializuara kanë treguar mirësjellje duke i nisur ftesë për në Hagë, dhe jo ta arrestonin në mënyrë të padinjitetshme.