Blerim Latifi, këshilltar i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se taksa ndaj produkteve të Serbisë është kthyer në instrument të garës së brendshme politike.
Ai ka thënë se tash flitet poshtë e lartë kush humb e kush fiton vota nga loja me taksën, dhe kjo, sipas tij, përbën degradim.
Latifi ka deklaruar për “Epoka e re” se vendosja e taksës ndaj Serbisë ka qenë reagim i drejtë ndaj agresionit diplomatik që Serbia kishte ndërmarrë ndaj Kosovës.
Megjithatë, ai thotë se kjo nuk do të thotë të barrikadohemi në pozicionin që kemi marrë.
Latifi ka thënë se duhet kërkuar rrugëdalje për çdo situatë dhe, sipas tij, rrugëdaljet gjithmonë ekzistojnë.
Ai ka mohuar se Qeveria do të bjerë për shkak të taksës.
“Qëndrimi i kryetarit Veselit ka qenë dhe mbetet i qartë: Qeveria e Kosovës nuk do të bjerë për shkak të taksës”, ka thënë Latifi.