Fjalë Kyçe

Lavrov pretendon se Serbisë i janë vënë kushte për pranimin në BE: Njohja e pavarësisë së Kosovës dhe sanksionet ndaj Rusisë

Lavrov pretendon se Serbisë i janë vënë kushte për pranimin në BE: Njohja e pavarësisë së Kosovës dhe sanksionet ndaj Rusisë

Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov, edhe një herë reagon në lidhje me qasjen e Perëndimit ndaj Serbisë duke pretenduar se “Ata i përsërisin Serbisë se do të përtërijnë negociatat për anëtarësimin e saj në BE dhe se e shohin atë si pjesë të familjes evropiane, por se është e nevojshme të njihet pavarësia e Kosovës dhe të mbështeten plotësisht sanksionet anti-ruse”, shkruan gazeta ruse në gjuhën serbe “Russia Today”.

Lavrov ka pretenduar se qëndrimi i NATO-s dhe Bashkimit Evropian ndaj Serbisë është i ngjashëm me atë ndaj Turqisë, e cila kohët e fundit ka shfaqur dëshirën për t’iu bashkuar BRICS-it.

Duke komentuar “interesin në rritje të vendeve për anëtarësim dhe bashkëpunim me BRICS”, Lavrov ka pretenduar se Perëndimi paralajmëron se hyrja e Turqisë, anëtare e NATO-s, në BRICS është e papajtueshme me anëtarësimin në Aleancë, ndërsa Bashkimi Evropian, sipas fjalëve të tij, ka reaguar shumë më hapur duke paralajmëruar se jo vetëm anëtarësimi në BRICS dhe BE janë të papajtueshme, por edhe se kandidati pritet t’i bashkohet politikës së jashtme të unifikuar (të BE) në fushën e sigurisë.

“Është një urdhër i hapur për t’iu bashkuar sanksioneve anti-ruse, nëse Turqia dëshiron të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. E njëjta gjë është edhe me Serbinë. Ata i thanë asaj se do të rifillojnë negociatat aktive (për anëtarësimin në BE), se ata e shohin atë si pjesë të familjes evropiane, por se është e nevojshme të njihet pavarësia e Kosovës dhe të mbështeten plotësisht sanksionet anti-ruse”, ka thënë ministri rus.