Fjalë Kyçe

LDK e votoi Thaçin për president, nuk ka pse të abstenojë për Osmanin

LDK e votoi Thaçin për president, nuk ka pse të abstenojë për Osmanin

Deputetja e zgjedhur nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se përfaqësimi i një numri të madh të femrave në parlamentin e ardhshëm është për t’u përshëndetur, megjithatë ajo konsideron se duhet punë më e madhe që ky përfaqësim të mbërrij deri në 50 për qind.

Ajo në RTK ka thënë se Vetëvendosje do të ketë 58 mandate në Kuvendin e Kosovës, por ky numër, shtoi ajo, do të rritej nëse do të ishin eliminuar disa parregullsi me votat e mërgatës që janë identifikuar.

Kusari-Lila tha se zgjedhjet janë zhvilluar në mënyrën më të mirë demokratike dhe këtu qytetarët por edhe partitë politike, kanë luajtur rol të rëndësishëm.

“Qytetarët e kanë votuar zonjën Vjosa Osmani për presidente dhe ajo nuk është pjesë e pazareve politike”, theksoi deputetja.

Sipas saj është pa logjikë nëse LDK-ja ka qëndruar për të zgjedhur president Hashim Thaçin e nuk qëndron në sallë për ta votuar Vjosa Osmanin.

Ajo ka thënë se diskutimet për qeverinë e ardhshme kanë filluar, ndërsa shkaku i rrethanave personale Kusari-Lila do të qëndrojë si deputete në Kuvendin e Kosovës dhe jo në ndonjë post qeveritar.