Kryetari i komunës së Podujevës, njëherit nënkryetar i LDK-së – Agim Veliu është aksidentuar sot në afërsi të fshatit Besi të Prishtinës, me veturë zyrtare. Për këtë aksident ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Në një komunikate për media LDK thotë se Veliu i është shmangur një aksidenti të mundshëm rrugor në fshatin Besi, në magjistralen Prishtinë – Podujevë, me ç’rast është vetaksidentuar.
“Në tentim për t’u larguar nga një veturë që kishte hyrë në tejkalim nga krahu i kundërt i rrugës, vetura e z. Veliu është vënë në kontakt me mbrojtëset anësore të rrugës. Falë këtij veprimi, përveç dëmeve të vogla të veturës të z. Veliu, nuk ka pasur asnjë dëm tjetër të asnjë natyre”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
Vetura zyrtare ku i pranishëm ishte i pari i Podujevës, Agim Veliu, duket se e ka humbur kontrollin e lëvizjes duke dalë nga rruga kryesore në ara.
Veliu tha se nga aksidenti ka pësuar lëndime të lehta trupore.