Lidhja Demokratike e Kosovës ka kritikuar Qeverinë Kurti për menaxhimin e pandemisë së COVID-19. Në ditën kur janë regjistruar mbi 1000 raste të reja me këtë virus, LDK-ja ka thënë se Kosova po rrezikon të shkojë drejt mbylljes totale “për shkak të keqmenaxhimit të sistemit të vaksinimit dhe për shkak të dështimit në sensibilizimin e popullatës për rëndësinë dhe domosdoshmërinë e vaksinimit”.
Kjo parti ka thënë se situata me pandeminë është jashtë kontrollit të Qeverisë. Kjo parti ka thënë se në kohën kur numri i rasteve me COVID-19 ishte i vogël e terminë për vaksinim kishte mjaft, “Qeveria nuk bëri asgjë për të sensibilizuar opinionin për rëndësinë jetike të vaksinave”.
“Sot, kur janë shënuar mbi 1000 raste të infektimit, dhe gjendja është alarmante – nuk ka termine të lira për vaksinim. Vetëm 10% e popullsisë së Kosovës janë të vaksinuar, sot. Jemi të fundit në Evropë. Mungesa e termineve e pushimet gjatë vikendeve – në gjendje alarmante të pandemisë – është shenjë se Qeveria s’ka as idenë e as vullnetin të bëjë më mirë. Kosova, po rrezikon të shkojë drejt mbylljes totale, për shkak të keq menaxhimit të sistemit të vaksinimit dhe për shkak të dështimit në sensibilizimin e popullatës për rëndësinë dhe domosdoshmërinë e vaksinimit”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Sipas LDK-së, një mbyllje tjetër eventuale do të ishte fatale për ekonominë e Kosovës.
Të enjten, Qeveria vendosi për masat e reja të cilat kryesisht lidheshin me “kufizime” për hyrje në gastronomi. Edhe pse një pjese të këtij sektori iu zgjat orari i punës, qytetarëve do t’u lejohet të hyjnë në to vetëm me test negativ, dëshmi për vaksinim apo dëshmi se e kanë kaluar COVID-19 në 6 muajt e fundit. Masat vlejnë nga 20 gushti deri më 10 shtator.