Fjalë Kyçe

LDK-ja rekomandon rritje të menjëhershme të pensioneve e të pagës minimale

LDK-ja rekomandon rritje të menjëhershme të pensioneve e të pagës minimale

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se shteti duhet pashmangshëm të miratojë pako të re të mbështetjes së qytetarëve për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike si pasojë e ngritjes së çmimeve e krizës energjetike. Në një shkrim në Facebook, deputeti i LDK-së ka rekomanduar tri masa, të cilat sipas tij, duhet të merren menjëherë.

Hoti ka bërë të ditur se ka kërkuar që Bordi i Trustit të raportojë në Komisionin Parlamentar për Buxhet për veprimet që po ndërmerr ky institucion në përballje me zhvillimet e fundit, duke përfshirë humbjen e rreth 90 milionë eurove.

Duke komentuar krizën energjetike të dimrit që përfundoi dhe atë të çmimeve që po thellohet për shkak të krizës globale të shkaktuar nga lufta në Ukrainë, Hoti ka thënë se është shtruar nevoja për qasje më gjithëpërfshirëse për t’u dalë në ndihmë qytetarëve.

“Sipas të gjithë indikatorëve, pasojat ekonomike të krizës energjetike dhe rritjes së çmimeve të mallrave të konsumit kanë rënduar shumë koston e jetës së qytetarëve. Sipas vlerësimeve të përgjithshme, çdo familjeje i janë zvogëluar të ardhurat reale me rreth 150-200 euro në muaj. Kjo nënkupton se për të mbajtur konsumin e njëjtë, çdo familje ka nevojë për të ardhura shtesë prej 150-200 euro”, ka shkruar Hoti.

Duke i renditur tri rekomandime për zgjidhjen e krizës, Hoti ka thënë si pikë të parë rritjen e pensioneve dhe ndihmave sociale për aq sa është bërë rritja e çmimeve të produkteve ushqimore bazë.

Masë të dytë ai ka rekomanduar rritjen e subvencioneve në bujqësi, për shkak të shtrenjtimit të farërave, plehrave e inputeve tjera bazike për bujqësi.

“Kjo rritje e subvencioneve siguron që rreth 1/3 e familjeve kosovare të mbajnë nivelin e të ardhurave që marrin nga aktiviteti i tyre bujqësorë”, ka thënë tutje Hoti.

Në masën e tretë, Hoti ka thënë se duhet konsideruar rritja e menjëhershme e pagës minimale, por s’ka përjashtuar edhe propozimin për tërheqje të një shume të kursimeve pensionale, por më e vogël se ajo që është propozuar së fundmi nga PDK-ja, që kërkoi që qytetarëve t’u mundësohet tërheqja e deri 30 për qind e kursimeve pensionale.