Lidhja Demokratike e Kosovës është zotuar se do t’i ndajë 1.5 miliardë euro projekte për Prishtinën, nëse fiton në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Në një konferencë me kryetarin e Prishtinës Përparim Rama, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ndër projektet e para “do të jetë unaza e jashtme e kryeqytetit”.
“Do të mbështetet në tërësi nga buxheti i Kosovës. Kjo kosto për shpronësim është 150 milionë nga buxheti qendror. 206 milionë do të jetë investimi me Bankën Qendrore. Projekti i dytë do të jetë spitali i ri i Kosovës në vlerë të 500 milionë eurove të financuara nga Qeveria e Kosovës. Projekti i tretë do të jetë qendra kombëtare e sportit në Bërnicë. Kosto e gjithmbarshme e stadiumit do të jetë 60 milionë euro dhe 60 milionë euro për të tjerat”, ka thënë Abdixhiku.
Abdixhiku është marrë edhe me deklaratën e kryeministrit Albin Kurti që LDK-në e krahasoi me “mizë”. “Nuk e kemi ndërmend me fol për miza. Sot me Përparimin e kemi ndërmend me fol për projekte 1.5 miliardëshe. Republika e Kosovës mbështetet fort nga Prishtina në aspektin e organizimit shoqëror. Më 9 shkurt, shteti i kthehet kryeqytetit në mbështetje të plotë”, ka thënë ai.
Ndërkaq Rama ka kritikuar Qeverinë Kurti duke thënë se “po i djegë nga 100 euro”.
“100 milionë euro është punë e madhe me i bë bashkë, ndërsa Qeveria sot i shpërndan, i djegë nga 100 euro. Me 100 milionë euro ne do ta mundësonim mësimin gjithëditor në tërë Prishtinën”, ka thënë ai. “Kur nuk ke vizion harxhon para, ashtu pa mend, pa lidhje”.
Abdixhiku ka premtuar edhe kompleks kulturor me 100 milionë euro kosto. Për parkun teknologjik në Bërnicë, ai ka premtuar 30 milionë euro investim. Ndërsa për mësimin tërëditor, kjo parti i ka premtuar 200 milionë euro investim, për klasat 1 deri 5.