Lidhja Demokratike e Kosovës ka lëshuar një reagim të ashpër pasi qeveri refuzoi projektin për gazin amerikan.
Në një komunikatë për media, LDK ka thënë se qeveria me këtë vendim i refuzoi edhe 200 milionë dollarë që presidenti Biden i kishte konfirmuar si fonde falë, për projektin në fjalë, shkruan lajmi.net.
“Përveç se, në paranoizmin e pashpjegueshëm politik, e cilësoi të njëjtin si “gaz rus”, me këtë vendim, Kosova i refuzoi dhe 200 milionë dollarë, që Presidenti Biden, kohë më parë i kishte konfirmuar si grant – fonde falë – për Republikën e Kosovës dhe projektin në fjalë”, thuhet në reagim.
Tutje, në reagim thuhet se ky është një hap i gabuar strategjik, e dëmshme dhe e papranueshme.
Postimi i plotë:
Sot, Qeveria e Kosovës refuzoi projektin më gjeostraregjik amerikan në Ballkan, atë të gazpërçuesit, që do t’i siguronte shtetit tonë furnizim me gaz e së këndejmi dhe tranzicionin e nevojshëm energjetik.
Përveç se, në paranoizmin e pashpjegueshëm politik, e cilësoi të njëjtin si “gaz rus”, me këtë vendim, Kosova i refuzoi dhe 200 milionë dollarë, që Presidenti Biden, kohë më parë i kishte konfirmuar si grant – fonde falë – për Republikën e Kosovës dhe projektin në fjalë.
Një hap i gabuar strategjik. Një veprim i pakuptueshëm për interesat shqiptare në rajon. Një humbje financiare dyqind milionëshe në një vend pa zhvillim. E pakuptimtë, e dëmshme, e papranueshme. Përkushtimi i Kosovës në projekte strategjike amerikane nuk duhet të ketë hezitim. Ecja jonë strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jetë e përbashkët në politikë, ekonomi, siguri e energjetikë.