Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se konkursi për punësimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), ku pretendohet për dyshime për dallavere në punësimin e më shumë se 100 personave në këtë korporatë, ende nuk është anuluar.
Sipas LDK-së, 4500 aplikues edhe pas dy javësh nuk kanë gjetur drejtësi, ndërsa ka fajësuar Qeverinë se nuk ka marrë asnjë masë shkarkimi apo suspendimi ndaj zyrtarëve që janë përfshirë në këtë rast.
“14 ditë nga skandali i punësimeve në KEK. Konkursi ende nuk është anuluar; të 4500 aplikuesit ende s’kanë gjetur drejtësinë; e pushteti s’ka marrë asnjë masë shkarkimi e suspendimi ndaj zyrtarëve të përfshirë në këtë krim”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
Pas raportimeve se ky konkurs po keqpërdoret, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet në lidhje me punësimet e reja në KEK.
Sipas Prokurorisë, do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të këtyre pretendimeve, konform dispozitave ligjore në fuqi.