Fjalë Kyçe

LDK shtyn për nesër takimin për ministrat

LDK shtyn për nesër takimin për ministrat

Mbledhja e Kryesisë së LDK-së e cila kishte për tu mbajtur sot është shtyrë për nesër, në këtë takim do të caktohen ministrat nga ky subjekt që do të jenë pjesë e Qeverisë së re, e cila për kryeministër do të ketë Avdullah Hotin.

Anëtari i kryesisë dhe zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, ka thënë për klankosova.tv se mbledhja u shtye për shkak se disa pjesëmarrës nuk patën mundësi të jenë sot të pranishëm.

“Takimi i Kryesisë së LDK-së mbahet pasi Gjykata Kushtetuese të publikojë dhe të ju dërgojë palëve aktvendimin e plotë”.

“Njëkohësisht, disa nga anëtarët e Kryesisë e kanë të pamundur pjesëmarrjen në takim këtë të diele, prandaj takimi i Kryesisë mbahet, tentativisht, nesër”, ka thënë Mustafa.

Klan Kosova ka mësuar dje se në këtë mbledhje të kryesisë së LDK-së pritet të vendoset se kush do të jenë emrat e përfaqësuesve në ministritë përkatëse.

Ndërkaq, nominimet fillestare, për të cilët Klan Kosova pati raportuar janë: Vlora Dumoshi me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Agim Veliu me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Lumir Abdixhiku me Ministrinë e Financave dhe Transfereve, Arban Abrashi me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit, Armend Zemaj me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ndërsa Hykmete Bajrami do të zë postin e zëvendëskryeministres.

Ndërkaq, Besian Mustafa do të lë postin e ministrit të Bujqësisë dhe do të merr atë të udhëheqësit të Dikasterit të Integrimeve Europiane në kuadër të MPJ.

Pos, caktimit të ministrave, LDK-ja me dy partitë me të cilat është në koalicion, AAK dhe NISMA, janë duke synuar që sa më shpejtë të formojnë Qeverinë e Re, kjo pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit Hashim Thaçi për të nominuar për kryeministër Avdullah Hotin.

Klan Kosova përmes burimeve të sigurta mëson se koalicioni LAN po synon që të martën (02 qershor, 2020) në ora 10:00, ta mbajë seancën në Kuvend për votimin e Qeverisë.

“Nëse të hënën shpërndahen vendimet e Gjykatës Kushtetuese, në po atë ditë ne do ta kërkojmë me 64 nënshkrime të deputetëve seancën që të mbahet të martën ose ndonjë ditë tjetër që vendosë Kryesia e Kuvendit”.

Sipas këtij burimi, seanca mund të mbahet edhe të hënën nëse kështu vendos Kryesia e Kuvendit.

Klan Kosova po ashtu mëson se ky koalicion është duke i bërë përgatitjet e fundit për seancën në fjalë. Ky burim thotë se janë të paktën 64 vota që do ta mbështesin formimin e Qeverisë në krye me Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës.