Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se është e përkushtuar të respektojë dhe zbatojë vullnetin e qytetarëve të Kosovës të shprehur në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit.
Përmes një njoftimi, LDK thotë se e kanë shprehur vazhdimisht gatishmërinë dhe zotimin për arritjen e një marrëveshje bashkëqeverisëse me Lëvizjen Vetëvendosje, bazuar në fuqinë politike që u kanë dhënë votuesit dy partive.
“Lidhja Demokratike e Kosovës është e përkushtuar të respektojë dhe zbatojë vullnetin e qytetarëve të Kosovës të shprehur në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit. Në këtë drejtim, ne kemi shprehur vazhdimisht gatishmërinë dhe zotimin tonë të palëkundur në arritjen e një marrëveshjeje bashkëqeverisëse me LVV-në, bazuar në fuqinë politike që u kanë dhënë votuesit dy partive, në frymën e bashkëpunimit drejt mbrojtjes dhe avancimit të interesave shtetërore të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Tutje, theksohet se diskutimet mes dy partive do të vazhdojnë në mirëbesim dhe mirëkuptim pa ju nënshtuar presioneve publike të askujt dhe duke krijuar një ambient të përshtatshëm dhe racional.“Lidhja Demokratike e Kosovës ka punuar dhe është e vullnetshme të arrijë një marrëveshje të baraspeshuar, të qëndrueshme dhe afatgjatë. Diskutimet mes dy partive, LDK dhe LVV, do të vazhdojnë në mirëbesim dhe mirëkuptim, pa ju nënshtruar presioneve publike të askujt dhe duke krijuar një ambient të përshtatshëm dhe racional. Synimi ynë i përbashkët është të arrijmë një marrëveshje që ka prioritet vetëm dhe vetëm zotimet tona ndaj qytetarëve të Kosovës për të përmirësuar mirëqenien e tyre”, përfundon njoftimi.Reagimi i LDK-së vjen pas dështimit për të arritur një marrëveshje nga takimi i fundit Kurti-Mustafa. Të dy u kritikuan nga opinoni publik se po bëjnë pazare për poste politike.