Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media ka deklaruar se ka mirëpritur vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese, e cila sipas LDK-së “konstatoi antikushtetutshmërinë e përpjekjeve për të imponuar procedura të votimit të fshehtë gjatë seancës konstituive të Kuvendit”.
Sipas LDK-së, me këtë aktgjykim, Gjykata riafirmoi se kryesuesi i seancës konstituive nuk mund të veprojë jashtë përcaktimeve të qarta kushtetuese dhe nuk mund të shpikë procedura që minojnë rendin demokratik dhe ligjshmërinë.
Tutje theksohet se Gjykata sqaroi sërish se zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit duhet të zhvillohet rreptësishtë sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Punës – përmes votimit të hapur, deri në tre herë përpjekje për një kandidat, dhe brenda afatit kushtetues 30 ditor.
LDK-ja ka theksuar se ky vendim paraqet një fitore të madhe për demokracinë, ligjshmërinë dhe integritetin e institucioneve të vendit.
“Ai vërteton qëndrimin e LDK-së, e cila që nga fillimi ka insistuar se veprimet e Kryesuesit të Kuvendit dhe Lëvizjes Vetëvendosje! përbënin shkelje flagrante të Kushtetutës dhe tentim për të bllokuar funksionimin e institucioneve. LDK ka mbrojtur gjithmonë parimin se rendi kushtetues është i paprekshëm. Asnjë vullnet politik nuk mund të qëndrojë mbi supremacinë e Kushtetutës. Vendimi i sotëm i Gjykatës është jo vetëm fitore e LDK-së, por fitore e Republikës së Kosovës dhe e të gjithë qytetarëve që duan institucione funksionale, të ngritura mbi ligjshmëri, transparencë dhe norma demokratike”, thuhet në njoftim.
LDK-ja u ka bërë thirrje të gjitha forcave politike që ta respektojnë në tërësi këtë aktgjykim.
“Kuvendi duhet të vazhdojë menjëherë, në përputhje me Kushtetutën, me zgjedhjen e udhëheqjes së tij përmes votimit të hapur. Çdo pengesë e mëtejshme do të ishte jo vetëm antikushtetuese, por edhe akt i papërgjegjshëm ndaj qytetarëve dhe vullnetit të tyre demokratik. LDK do të mbetet e vendosur në rolin e saj si mbrojtëse e ligjshmërisë, demokracisë dhe vlerave euro-atlantike. Republika e Kosovës meriton institucione të forta, të lindura nga Kushtetuta dhe që i shërbejnë vetëm qytetarëve”, thuhet tutje në komunikatë.