Duke dëshiruar dhe qëndruar të mos merrem me situatën e krijuar para datës 25 mars, e di që ndodheni para një situate të vështirë, jo vetëm politike, të krijuar pas mocionit të mosbesimit, sidomos tani kur nga Ju po varet krijimi i Qeverisë së re.
Në deklaratën tuaj për media pas mbledhjes së fundit të Kryesisë së LDK-së, deklaruat që dy herë ia keni dhënë rastin të tjerëve dhe është momenti që kësaj here të jepni mundësinë e tretë për kandidatë për Kryeministër. Andaj nëse ju nuk do të jeni kandidat i mundshëm (me dëshirën tuaj) të ftoj dhe kërkojë që kandidat i mundshëm dhe i vetëm për Kryeministër të jetë z. Lutfi Haziri. Kryetar Mustafa, e di që LDK-ja ka përplotë burra e gra të denjë që mund të bëhen Kryeministër, ka shumë njerëz të politikës, të shkencës bile edhe akademikë. Mirëpo kësaj radhe nuk është koha e akademikëve, nuk kemi kohë t’i presim ata që të ndërprejnë të menduarit shkencor, e të kalojnë në mendimin politik deri sa të marrin ndonjë vendim politik. Kemi nevojë për njeriun i cili ka të zhvilluar dhe integruar në procesin e kognicionit të menduarit politik. E di, që edhe politika është shkencë, bile shkencë e bukur dhe më tepër, por jo edhe kjo politika që zhvillohet aktualisht tek ne. Politika dhe shkenca e tanishme kanë kahje, intensitet dhe drejtim të kundërt me njëra-tjetrën.
Në këtë situatë të krijuar, na duhen njerëz ekuivalent me situatën e krijuar politike në vend, na duhen njerëz lojal (por jo në procese që dëmtojnë RKS-në), na duhen njerëz besnik, na duhen ata të cilët asnjëherë nuk kanë humbur në procese zgjedhore qendrore e lokale, pra ata të cilët janë të pranuar edhe nga elektorati i LDK-së, na duhet ai i cili është i pranuar edhe nga ndërkombëtarët por edhe nga partnerët e koalicionit, na duhet ai i cili këta i bënë të ndihen inferior në aspektin politik, e ai është z. Haziri. Lutfi Haziri është njeriu i cili më së miri e njeh Administratën Qendrore e Lokale dhe Protokolin Shtetëror. Ai shquhet për vendimet e rënda të marrura si në pozitën e Ministrit ashtu edhe të Kryetarit. Është njeriu i LDK-së me fitore të shumta e besnik edhe në kohën e Rugovës. Z. Haziri e kemi parë gjithmonë të angazhuar dhe aktiv në prurjen e ujdive kur LDK ka qenë në pozicione të vështira, biles, edhe i angazhuar edhe në formimin e këtij koalicionit të fundit në momentet vendimtare pasi që masujdia ishte kryefjala. Angazhimi i Lutës në skenën politike aktuale mund të krijojë shpresën. Luta e njeh më së miri trurin e të menduarit politik të politikanëve tanë. Kryetar, në shkurtin e 2022, me kryerjen e mandatit të Presidentit …, përsëri do të na paraqitet destabilizim i skenës politike në vend, do të na “qartet” situata politike, dhe z. Haziri është ai i cili na e mundëson ruajtjen e stabilitetit dhe një Qeverisje me mandat të plotë.
P.S.: sa për korrektësi me z. Haziri, gjatë karrierës time politike kam patur vetëm një takim darke ( jo i vetëm), kur ai në cilësinë e Ministrit të Kulturës dhe anëtarit të Kryesisë së LDK-së, ka ardhur në vizitë ne Degën e LDK-së në Ferizaj, prandaj ky është mendim i imi i pavarur dhe i pa ndikuar.
Sinqerisht,
Dr. Burim Karameta
Asambleist i LDK-së në KK Ferizaj.