Fjalë Kyçe

Letra prekëse e Morenos pas largimit nga Liverpooli

Letra prekëse e Morenos pas largimit nga Liverpooli

Alberto Moreno i ka falënderuar tifozët e Liverpoolit dhe të gjithë stafin e klubit pasi pesë vjetët e tij në stadiumin “Anfield” morën fund të hënën.

Në qershor ishte konfirmuar se Alberto Moreno, bashkë me sulmuesin Daniel Sturridge, do të largoheshin nga klubi sapo t’u përfundonin kontratat e tyre me klubin anglez këtë verë.

Spanjolli luajti në 131 ndeshje për fituesin e Ligës së Kampionëve, pasi u transferua në Liverpool në gusht të vitit 2014 nga Sevilla. Rolin më të madh në karrierë e kreu gjatë kohës sa trajner i klubit ishte Brendan Rodgers.

Por, forma e mirë e Andy Robertsonit në pozitën e mbrojtësit të krahut të majtë ka bërë që mundësitë e Morenos për të luajtur të mos jenë të mëdha. Ai i bëri vetëm pesë paraqitje gjatë gjithë sezonit 2018/19.

“Jeta shkon në cikle dhe i imi në Liverpoolin tim të dashur ka marrë fund”, ka shkruar Moreno në letrën e tij të publikuar në rrjetet sociale.

“Pasi arrita deri në këtë pikë, dua ta falënderoj të gjithë familjen time të Liverpoolit: bashkëlojtarët e mi të dashur, me të cilët i kalova pesë vjet të mrekullueshëm dhe të cilët do t’i cilësoj gjithmonë si familje dhe, natyrisht, pronarët, drejtorët, stafin e trajnerëve, mjekët, fizioterapeutët, stafin teknik dhe secilin person në klub”.

“I jam mirënjohës edhe qytetit, që më pranoi në mënyrën e vet çdo ditë dhe gjithmonë do të më mbetet në mendje, sa herë ta shikojë djalin tim, Alberto Jr., i cili ka lindur në Liverpool.

“Së fundi, një falënderim shumë i veçantë për tifozët e mrekullueshëm të klubit, të cilët më kanë mbështetur gjithmonë. Ju uroj të gjithëve në Liverpool sukseset më të mëdha. Kudo që jeta më dërgon nga këtu, unë gjithmonë do të ju mbaj në zemër dhe do të jem tifoz përjetësisht”.