Rreth 20 mijë euro të qytetarëve të vendit do të shpenzohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për blerjen e lidhëseve të sigurisë për kutitë e votimit në zgjedhjet e 6 tetorit, shkruan Express.
Kështu është bërë e ditur në njoftimin për nënshkrim të kontratës të publikuar nga KQZ-ja në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.
“Furnizim me lidhëse të sigurisë për Kuti Votimi për Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2019”, thuhet në njoftimin e publikuar në KRPP.
Në bazë të këtij njoftimi për këtë tender kishin dorëzuar ofertat e tyre tetë kompani, por që në fund fituese është shpallur Ndërmarrja Tregtare Grafike “Blendi”.
Nënshkrimi i kontratës është bërë më 26 shtator të këtij viti.
Ndryshe, për këtë tender fillimisht ishin paraparë të shpenzoheshin 25 mijë euro, por që është zgjedhur kompania me çmimin më të ulët, përkatësisht 20 mijë euro.