Vendimi i parë, ai i taksimit të mallrave serbe, ka ngjallur një entuziasëm të pazakontë në Kosovë dhe një pikëllim të stimuluar në Serbi. Them pikëllim të stimuluar, pasi Serbia po vajton më shumë se sa realisht dëmtohet nga kjo taksë, për të marrë rolin e viktimës.
E vërteta është se Serbia ka përballuar një embargo dhjetëvjeçare ndërkombëtare dhe ka rezistuar, dhe nuk besoj se tronditet nga taksa e Kosovës.
Por zhurma që ajo po bën për taksën e Kosovës është propocionale me zhurmën që ajo bën ndaj çdo gjesti pavarësie të Kosovës ndaj saj.
Në këtë pikë, ajo është më shumë e dëshpëruar që Kosova e sfidon sesa që e dëmton realisht me atë që ka bërë.
Vetë Kosova duket se nuk ka asnjë plan të qartë financiar se ku e çon kjo luftë tregtare dhe as nuk shqetësohet për këtë. Së paku për një javë nuk kam dëgjuar asnjë shifër nga asnjë ekspert financiar i Kosovës që të shpjegojë prognozën për ndryshimin e tregut dhe efektet që do ketë në ekonominë e Kosovës një orientim i ri i tregut nga vendet që do të mbushin boshllëkun e mallrave serbe.
Edhe një deklaratë e Arben Ahmetajt, që u tha se kjo është e pashëndetëshme për ekonominë, e quajtën armiqësore, pasi janë në fazën që nuk duan të bëjnë llogari për atë që kanë bërë, por e duan si trofe politike. Dhe kështu ka kuptim.
Kjo do të thotë se Kosova nuk ka marrë një vendim bazuar në llogaritë e luftës tregtare, por një vendim bazuar në parimet e luftës tregtare. Pra, ajo ka pranuar të bëjë betejë me çdo çmim për veten e saj, për t’i treguar kufirin Serbisë.
Vendimi i dytë që ka lidhje dhe me Shqipërinë dhe gjestin e Edi Ramës në Pejë, ka të bëjë me prognozën e Bashkimit Kombëtar. Siç u përpoq ta shpjegojë me shpejtësi Edi Rama më pas, ai e bëri këtë gjest për t’i tërhequr vëmendjen Brukselit që po izolon Kosovën dhe shqiptarët në tërësi dhe po dështon perspektivën europiane të tyre.
Kjo “taksa” ndaj Europës, njësoj si “taksa” ndaj Serbisë, ka ngjallur një alarm fallco në Europë. Thellë-thellë, mbështetja që Europa po i jep procesit të korrigjimit të kufijëve të Kosovës, së bashku me administratën e re të presidentit Trump, tek kjo histori të çon.
Por drejt asaj historie po shkohet me një lojtar të vetëm, që është Hashim Thaçi, dhe me kushtëzime që ai nuk i përballon dot nga pala serbe.
Ajo që është thelbësore në këto dy taksat tona ndaj Serbisë dhe Europës, është se si mund t’i përdorim këto zhvillime për të mos humbur aleancën me Perëndimin.
Ndërkohë që ata po festonin në Pejë, presidenti i Kosovës u prit në Uashington dhe ju kërkua heqja e taksës ndaj Serbisë dhe vazhdimi i bisedimeve.
Hashim Thaçi nuk ka bërë asnjë koment dhe natyrisht, përveç takimeve zyrtare, ka dhe agjendën e bisedimeve që shtyn Uashingtoni në prapaskenë. Dhe bisedimet do vazhdojnë.
I vetmi nder që kundërshtarët i kanë bërë Hashim Thaçit, me ndihmën e Edi Ramës, është se ia kanë lehtësuar atij startin e ri të bisedimeve, duke e nxjerrë nga rrethi i ngushtë i lojës me një protagonist, ku e kishte mbyllur ai procesin e bisedimeve, në një fushë më të gjerë, dhe me kushtëzime më të mëdha, siç janë taksa ndaj Serbisë dhe Bashkimi Kombëtar.
Atë që Thaçi nuk e bëri dot vetë në Kosovë ia bënë kundërshtarët e tij ndërkohë që ai ishte në Uashington.
Tani kur të kthehet le të ulet në bisedime me Vuçiçin, duke e filluar bisedën jo ku e kanë lënë herën e fundit, por nga “Lidhja e Pejës”.
Atje ku Edi Rama ka funksionuar si “telefoni i prishur” i tij me faktorët politikë në Kosovë.