Fjalë Kyçe

Liga e Kampionëve: Lojtarëve të pavaksinuar të Chelseat dhe Real Madridit iu ndalohet hyrja në Francë

Liga e Kampionëve: Lojtarëve të pavaksinuar të Chelseat dhe Real Madridit iu ndalohet hyrja në Francë

Chelsea dhe Real Madridi do të detyrohen t’i lënë në shtëpi lojtarët e vet të pavaksinuar kundër koronavirusit për ndeshjet e tyre përkatëse në Francë kundër Lille dhe Paris Saint-Germain në Ligën e Kampionëve.

Franca i ka ashpërsuar rregullat kundër Covid-19 dhe atletët profesionistë që nuk janë të vaksinuar nuk mund të hyjë në vend.

UEFA njoftoi të enjten se ekipeve do t’iu kërkohet në parim t’iu përmbahen rregullave të zbatueshme në çdo vend.

Shtëpia e futbollit evropian ende nuk e ka përditësuar rregulloren për fazën e eliminimit direkt në garat evropiane, për të cilën ka thënë se do t’iu ofrojë udhëzime shtesë klubeve.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë së fundmi se dëshiron t’i godasë njerëzit e pavaksinuar duke ua kufizuar hyrjen në vendet publike, siç janë kafenetë, restorantet dhe kinematë.

Duket e pamundur që UEFA – presidenti i së cilës Aleksander Ceferin e ka përkrahur zëshëm vaksinimin – do ta minojë qasjen e Francës duke këmbëngulur që ndeshjet të zhvendosen në terrene neutrale për t’i shmangur rregullat kundër Covid-19.

Real Madridi do të udhëtojë drejt Francës për t’u përballur me PSG-në më 15 shkurt, për ndeshjen e parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve.

Chelsea – kampioni në fuqi – do të udhëtojë drejt Francës më 16 mars për përballjen me Lille në ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales.

Është e paqartë se sa lojtarë të pavaksinuar kanë ekipet në fjalë.