Fjalë Kyçe

​Ligji i ri i komunikacionit sjell probleme për kompanitë e veturave me qira

​Ligji i ri i komunikacionit sjell probleme për kompanitë e veturave me qira

Shoqata Rent A Car Kosova ka shprehur shqetësimin për ndryshimin e ligjit të komunikacionit, i cili po shkakton probleme të mëdha për bizneset që operojnë me dhënien e veturave me qira.

Anëtarë të kësaj shoqate problem e shohin konfiskimin e veturave të kompanive nga ana e Policisë së Kosovës për veprime të klientëve.

Të njëjtit derisa vlerësojnë se ky ligj ka nevojë për rishikim të plotë, thonë se po i dëmton bizneset edhe në aspektin financiar. Ndryshim të ligjit kërkon edhe opozita, derisa nga partia në pushtet kanë deklaruar se janë informuar me problemin që kanë këto kompani, dhe shumë shpejtë do të dalin me një përgjigje konkrete për këtë çështje.

Kryetari i Shoqatës Rent Car Kosova, Albion Shala, i cili përfaqëson rreth 100 anëtarë, biznese të cilat operojnë në dhënien e makinave me qira, thotë se është absurde që të konfiskohet vetura e kompanisë për probleme që ka klienti me ligjin e komunikacionit.

Shala thotë se pas marrjes së ankesave nga anëtarët e kësaj shoqate, do të angazhojnë një avokat dhe do t’i drejtohen Ministrisë së Infrastrukturës që të bëhet ndryshimi i këtij ligji.

“Kohëve të fundit kemi disa shqetësime, probleme prej anëtarëve të shoqatës tonë se automjetet e tyre konfiskohen nga ana e Policisë së Kosovës për shkaqe se klientët të cilët marrin makinat me qira kanë ndalesa, i është konfiskuar patentë shoferi dhe automjeti konfiskohet në kohëzgjatje derisa ai person ka ndalesë në patentë shofer, që për biznesin është absurde, sepse ai person që merr makinën me qira, nuk është pronë e tij, dhe biznesi nuk ka mundësi të bëjë verifikimin.

Personi që merr makinën me qera prezanton patentë shoferin dhe letërnjoftimin, dhe në bazë këtyre dokumenteve bëhet kontrata për qiramarrjen e automjetit, tash në ndërkohë klienti mund të bëjë ndonjë shkelje në ligj të komunikacionit, ndërkohë atij i bëhet një kontroll nga ana e policisë, dhe në këtë rast konfiskohet makina e kompanisë që merret me biznes…Ne kemi problem me konfiskimin që po i bëhet automjeteve, kur bizneset nuk janë fajtore. Ne si shoqatë pas marrjes së ankesave nga anëtarët tonë, ne angazhojmë avokatin e shoqatës, dhe i drejtohemi ministrisë përkatëse e cila merret me këtë ligj. Avokati bënë ankesën zyrtare dhe presim pastaj përgjigje prej ministrisë përkatëse që merret me ligjin për komunikacion, jemi në përgatitje të ankesave për shkak se kemi raste të shumta që po kanë probleme me këtë ligj”, thotë Shala.

Të shqetësuar me këtë shprehen edhe vet pronarët e bizneseve që japin vetura me qera.

Ata derisa kërkojnë nga institucionet përgjegjëse të ndryshohet ligji, thonë se janë të detyruar të paguajnë shërbimet për veprime të klientëve. Pronari i njërit nga bizneset në vend, Kushtrim Shaqiri derisa thotë se kanë problem me ligjin e ri të komunikacionit, shton se herën e parë kur i është konfiskuar vetura për veprime të klientit, ka paguar 175 euro për bartje të automjetit dhe qiranë ditore, mirëpo shton se kjo shumë ndryshon varësisht prej qyteteve.

“Po kemi problem me ligjin që është në fuqi prej marsit, po konfiskohen veturat për shkak të veprimeve të klientit. Në këtë rast me datën 28 prill, klientit tim, është has për patentë shofer, ose ndonjë veprim tjetër në komunikacion, dhe i është konfiskuar automjeti në një kohë të pacaktuar fillimisht. Në ndërkohë, ne jemi detyruar të bëjmë ankesë në Stacion të Policisë, në komisionin përkatës që ata kanë krijuar dhe ata në një afat ligjor që kanë rreth 30 ditë na janë përgjigjur, ku është liruar automjeti pas 29 dite. Në fund të kësaj periudhe, unë jam detyruar të shkoj dhe ta marrë automjetin prej pikës grumbulluese, dhe më është dashur të paguajë bartjen e automjetit, plus qiranë ditore të atij biznesi privat. Shuma të cilën e kam paguar është 175 euro për bartje dhe qiranë ditore, pro kjo është e ndryshueshme, sepse secili qytet ka shuma të ndryshme të qirasë ku qëndron automjeti. Ne nuk kemi realisht faj”, thotë Shaqiri.

Ai shton se në vendimin që i është kthyer automjeti, është paralajmëruar se është hera fundit që mund t’i lirohet vetura me këtë arsyetim. I shqetësuar shprehet me mënyrën që përveç veturës, konfiskohet edhe çelësi i veturës, për çfarë shpreh dyshimet se mund t’i keqpërdoret edhe vetura.

Shaqiri thotë se nëse vazhdon kjo gjendje, dëmet financiare që do humbasin janë të mëdha.

“Në vendimin kur më është kthyer automjeti thotë që paralajmërohet biznesi në fjalë që asnjëherë tjetër nuk do të mund të thirret me këtë arsyetim për lirim të automjetit, që interpretohet që është hera fundit që më lirohet një automjet për një ngjarje të tillë. Klientit tonë i është konfiskuar automjeti dhe çelësi i automjetit, gjë që mendojmë që nuk është në rregull, për shkak se nuk e dimë çfarë ka ndodhur me veturën ato ditë 30 ditë që ka qëndruar e konfiskuar. Ka mundur të preket ndonjë pjesë, të keqpërdoret, është çdo gjë e dyshimtë prej pozitës tonë. Ne përveç që nuk po mundemi të punojmë me atë veturë gjatë asaj periudhe, po jemi të detyruar të paguajmë shpenzime tjera. Marrë parasysh që po hymë në sezone të verës, të punës që kemi kërkesa dhe fluks të madh, dhe nëse vazhdon kjo problematikë na largon prej punës, sepse, humbjet financiare janë të mëdha marrë parasysh që funksionojnë si biznese sezonale”, shton Shaqiri.

Edhe pronarë të tjerë që kanë biznese të njëjta, prapa kamerave të KosovaPress-it, kanë thënë se ky ligj duhet të ndryshohet.

Se ky ligj duhet të ndryshohet e thonë edhe deputetet nga opozita. Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Ferat Shala konsideron se ligji do duhej të rikthehet në një procedure krejtësisht të re dhe të rishkruhet.

“Ky ligj ka shkuar në procedurë jo krejtësisht normale, mënyra e debatimit me gjithë akterët relevant të nevojshëm, por edhe mënyra me nivelet shkencore dhe akademike, sepse trajton problemet e ndishme të sigurisë së komunikacionit, por njëkohësisht edhe trajton problemet që kanë efekt në veprimtari të ndryshme të transportit dhe trafikut. Konsideroj se do duhej të rikthehet ligji me një procedurë krejtësisht të re nga fillimi dhe të rishkruhet, ripërpunohet, ri dizajnohet në shumë pika dhe jo vetëm në këtë, por ka edhe pika tjera të cilat e cenojnë çështjen e sigurisë dhe çështjen e lëvizjes së lirë së qytetarëve…është pikë e ndishme që reflekton në dëme të bizneseve”, thotë Shala.

Edhe deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj thotë se është e padrejtë të konfiskohen veturat e kompanive për shkak veprimeve të klientëve.

“Ligjet miratohen në Kuvendin e Kosovës për t’u implementuari dhe në favor të zgjidhjeve së çështjeve të caktuara dhe në këtë rast zgjidhjes së kësaj çështje. Mendoj se është e padrejtë nëse ke Rent dhe konfiskohet automjeti i Rentës, duhet të rishikohet ligji dhe të amandamentohet, sepse nuk ka dokument të vdekur, por ligjet janë për t’u implementuari, dhe ku nuk mund të implementohet për amandamentim”, thotë Lekaj.

Për këtë nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, kanë thënë se do të konsultohen me institucionet tjera relevante për të parë mundësinë e zgjidhjes së këtij problemi. Deputetja Fitore Pacolli thotë se shumë shpejtë do të dalin me një përgjigje konkrete për veprimet që do të ndërmarrin në këtë drejtim.

“Ne si komision jemi informuar me problemin që kanë këto kompani, jemi në konsultim të vazhdueshëm me institucionet, do të shohim cilat do të jenë masat që do të marrim. Tani ligji në fuqi nënkupton që çdokush që edhe huazon veturën, ose personave që nuk posedojnë leje të drejtimit të automjetit, ose kanë shkaktuar shkelje të mëhershme në komunikacion dhe i është konfiskuar leja, ose bëjnë shkelje tjera të rënda, që të mos i jepet vetura, sepse Policia tani ka të drejtën të konfiskoj veturën. Kështu ne do të konsultohemi me institucionet tjera relevante, dhe shumë shpejtë do të kemi një përgjigje konkrete se çfarë do të ndërmarrim ne dhe kompanitë në fjalë në mënyrë që ky problem të zgjidhet”, thotë Pacolli.

KosovaPress ka dërguar pyetje edhe tek Ministria e Infrastrukturës për këtë çështje, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e kësaj teme.

Kujtojmë se nga 3 prilli i këtij viti ka hyrë në fuqi Ligji i ri për Rregullat e Trafikut Rrugor, i cili ka për qëllim rritjen e sigurisë rrugore, mbrojtjen e jetës, shëndetit dhe pronës së pjesëmarrësve në trafik, lehtësimin e zhvillimit normal të rrjedhës së trafikut, si dhe mbrojtjen e ambientit. Mirëpo, me këtë ligj janë ashpërsuar gjobat për shkelësit e rregullave në trafik.

Policia ka njoftuar se me këtë ligj shumë kundërvajtje për pjesëmarrësit në trafik shoferë, pasagjerë apo këmbësorë janë përshkallëzuar me gjoba të ndryshme.

Disa nga risitë e këtij ligi që kërkohet të respektohen nga pjesëmarrësit në trafik mund t’i shihni në vijim.

– Mos vendosja e rripit të sigurisë

– 150 € shoferi dhe të gjithë personat të cilët gjenden në mjet duhet t’i përdorin rripat e sigurisë, siç parashihet nga prodhuesi.