Mësimdhënësit e ciklit fillor të klasave të para deri në të pestën, kanë nisur mbledhjen e nënshkrimeve për të kundërshtuar Ligjin e pagave.
Nazlie Cakolli, mësimdhënëse e ciklit fillor, tregon se nuk janë të kënaqur me mosnivelizimin e pagave me kolegët e tyre të klasave nga e gjashta deri në të nëntën, raporton KTV.
Për këtë, ajo thotë se e kundërshton Ligjin për paga, për çka edhe kishin mbajtur grevë disa javore.
Ky peticion i mësimdhënësve pritet të dorëzohet shumë shpejt në SBASHK, Ministri të Arsimit dhe te presidenti Hashim Thaçi, duke kërkuar mosdekretimin e Ligjit.
E, në zyrën e Hashim Thaçit, të martën ka arritur për dekretim Ligji për paga.
Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, ka konfirmuar se ata e kanë dërguar ligjin te presidenti Hashim Thaçi, i cili duhet ta dekretojë atë.
Ndërkohë, shkurt Artan Behrami, këshilltar i presidentit Hashim Thaçi, i ka thënë KTV-së, se “në Presidencë, ligji do të shqyrtohet thellësisht”.
Por, ata që u pajtuan me ligjin dhe ndërprerjen e grevës, Sindikata e Bashkuara e Arsimit, tani thonë se nuk u prish punë mosdekretimi i tij.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, thotë se nëse nuk dekretohet, atëherë ka mundësi ndryshimi për mësuesit e ciklit të ulët të sistemit fillor dhe atyre lëndorë.
Sistemi i arsimit në Kosovë, ishte 3 javë në grevë, duke bojkotuar mësimin në shenjë pakënaqësie për koeficientet e tyre, në bazë të së cilave u përcaktohen pagat.
Greva u ndërpre vetëm pas një takimi e marrëveshjeje në zyrën e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.