Fjalë Kyçe

Ligji për Pagat, përfitimet mijëra euroshe të zyrtarëve të lartë pas përfundimit të mandatit

Ligji për Pagat, përfitimet mijëra euroshe të zyrtarëve të lartë pas përfundimit të mandatit

Presidenti, kryeministri, ministrat, deputetët, kryetarët e Gjykatave në vend, edhe pas përfundimit të mandatit do të vazhdojnë të marrin paga nga buxheti i shtetit.

Kuvendi i Kosovës më 2 shkurt ka miratuar Ligjin për Paga ndërsa ai ka hyrë në fuqi automatikisht pasi Presidenti Hashim Thaçi, nuk e ka kthyer për plotësime në Kuvend.

“Raporti i koeficienteve është një me dhjetë (1:10), të shpërndarë në gjashtëdhjetë e nëntë nivele të koeficienteve, bashkëngjitur dhe pjesë përbërëse si Shtojca 2 e këtij ligji”, saktëson Ligji
Në bazë të Ligjit për Paga të cilin e ka siguruar Telegrafi, kryeparlamentari, kryeministri, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kryeprokurori, dhe kryetari i Gjykatës Supreme do të paguhen edhe pesë vite pasi të largohen nga pozitat e tyre.

Ata do të marrin 70% të pagës së fundit, në institucionin ku kanë vepruar. Veç kësaj ata do të përfitojnë edhe një asistent, vozitës dhe veturë zyrtare të cilën do të përdorin.

Pagë nga buxheti i shtetit do të marrin edhe deputetët.

“Deputeti pas përfundimit të mandatit të rregullt apo para kohe, i cili nuk realizon asnjë të hyrë nga buxheti i shtetit ka të drejtën e kompensimit kalimtar prej një vit, në vlerë 70% të pagës së fundit që e kanë marrë”, thuhet në Ligjin për Paga të cilin e posedon Telegrafi.

Edhe zëvendëskryeministrat, ministrat dhe kryetarët e komunës do të marrin 70% të pagës, edhe pas përfundimit të mandatit.

Zhurma më e madhe në lidhje me përfitimet pas largimit nga detyra, ishte bërë për zëvendësministrat.
Ata do të paguhen gjashtë muaj pas përfundimit të mandatit, dhe gjithashtu do të marrin 70% të pagës.

“Zëvendësministri i cili pas përfundimit të mandatit nuk realizon asnjë të hyrë nga buxheti i shtetit, ka të drejtën e kompensimit kalimtar për gjashtë muaj në vlerë prej 70% të pagës bazë të fundit, në institucionin në të cilin ka bartur funksionin”, thuhet në Projektligjin për Paga.

Të gjitha këto përfitime nuk do të bëhen në disa raste, që janë të specifikuara në Ligj.

“Përfitimi sipas këtij neni nuk paguhet nëse funksionari: jep dorëheqje nga funksioni. Shkarkohet nga funksioni për shkelje ligjore. Pas përfundimit të mandatit ushtron ndonjë funksion për të cilin paguhet nga Buxheti i Kosovës. Ose nëse me vendim të formës së prerë nga Gjykata është shpallur fajtor për ndonjë vepër penale gjatë kohës që ka bartur funksionin”, thuhet në Ligjin për Paga.