Ligjvënësit britanikë kanë votuar një amandament të shtunën që mund të shtyjë procesin e daljes nga Bashkimi Evropian, derisa të gjitha ligjet të kalojnë në Parlament.
Ligjvënësit britanikë të Partisë së Bashkimit Demokratik votuan amandamentin e quajtur Letwin, duke hedhur poshtë propozimet e kryeministrit Boris Johnson.
Kjo parti mbështet daljen nga Bashkimi Evropian, por nuk qëndron me propozimet e kryeministrit Johnson për Irlandën veriore.
Ligjvënësit britanikë u mblodhën të shtunën ku pritej që të votohej marrëveshja e arritur mes Bashkimit Evropian dhe kryeministrit Johnson, por votimi u shty me anë të këtij amandamenti.
Ky amandament e ndalon miratimin e marrëveshjes derisa i tërë legjislacioni të miratohet në Parlament – veprim ky i cili automatikisht e obligon kryeministrin të kërkojë shtyrjen e datës deri më 31 janar.
Por, kryeministri Johnson tha se nuk do të kërkojë nga BE-ja shtyrje të afatit dhe se do të hedh në votim propozimin sërish javën e ardhshme.
Deputetë të Bashkimit Demokratik kanë deklaruar se “ne do të dështojmë në përgjegjësitë tona nëse nuk përdorim çdo strategji” për të siguruar këto ndryshime në marrëveshje.
Në anën tjetër, mijëra protestues u mblodhën të shtunën para Parlamentit britanik duke kundërshtuar marrëveshjen e arritur me Bashkimin Evropian dhe propozimet e kryeministrit Johnson.
Mbështetësit e kampanjës “Vota e Popullit”, deklaruan se ata duan të sigurojnë që Mbretëria e Bashkuar është e lumtur që do të largohet nga BE-ja, nën marrëveshjen e arritur.