UEFA i është kundërpërgjigjur raportimeve se ndeshja e Chelseas të mërkurën mbrëma kundër Lille rrezikon të mos luhet, pasi Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj Roman Abrahomvichit.
Miliarderi rus së fundmi u shtua në “listën e zezë” nga BE dhe kjo u tha se mund t’i kushtojë edhe skuadrës londineze, transmeton Express.
“L’Equipe” raportoi se sanksionet ndaj pronarit aktual të Chelseas, nënkuptojnë se klubit i duhet një leje e veçantë për të luajtur në Francë nesër.
Por, shtëpia më e madhe e futbollit evropian ka konfirmuar se kjo ndeshje do të zhvillohet ashtu siç është e paraparë.
E kontaktuar nga “RMC Sport”, UEFA konfirmoi se takimi do të zhvillohet në stadiumin “Pierre-Mauroy”.
Leja e veçantë që Chelsea ka për të vazhduar aktivitetet sportive vlen edhe për ndeshjet jashtë futbollit anglez.
Ndeshja e kthimit mes Lille dhe Chelseas është e vlefshme për fazën e 1/16 së finales.
Ndeshja e parë e zhvilluar në “Stamford Bridge” ishte fituar 2:0 nga “Blutë”.