Fjalë Kyçe

Limaj: Kur ne luftonim, Hoxhaj e mendonte azilin politik në Beograd

Limaj: Kur ne luftonim, Hoxhaj e mendonte azilin politik në Beograd

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka bërë thirrje që të mos votohet kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Enver Hoxhaj. Në një takim me të rinjtë e Malishevës, Limaj është treguar i ashpër ndaj Hoxhajt. E ka quajtur “çun që s’di çka është shpirti luftarak i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Limaj në këtë adresim ka thënë se partia e tij “do të përfaqësojë çlirimtarët në legjislativ”.

“A e dini cili është dallimi im me Enverin. Ai kurrgjë s’ka ndërtuar, krejt i ka marrë të gatshme. Dallimi është se ky sendet e mëdha i bën të vogla, e unë i nisi të vogla i bëj të mëdha. Është mësuar gjithnjë me i pas të gatshëm. E kemi pa edhe partinë e ka marrë të gatshme, e kemi me e pa ku ka për ta çuar. Dallim tjetër është se ai kurrë një betejë në jetën e vet nuk e ka zhvilluar, as në jetën politike. Ai nuk e di se çka është kjo tjetra. Enveri veç në filmat e ‘Rambos’ e ka pa çfarë është shpirti luftarak. Nuk e di çka është përballja me jetën a vdekjen. E ka pa vetëm në televizor. Është dallim i madh”, ka thënë Limaj, duke u kërkuar familjeve patriotike të mos votojnë për Hoxhajn “sepse në kohën kur unë bashkë me bashkëluftëtarët luftonim për çlirimin e Kosovës, Hoxhaj deklaronte se do të kërkojë azil politik në Beograd nëse UÇK-ja fitonte luftën”.

Limaj kishte kritika edhe ndaj Albin Kurtit të Lëvizjes Vetëvendosje, raporton KP.

Sipas tij, me masën e karantinimit sa ishte kryeministër Kurti, “Malisheva ishte futur në burg”.

“51 ditë as një vizitë nuk kanë ardhur ta vizitojë Malishevën kur ka qenë më keq, kur njerëzit tanë nga paniku as telefonin nuk e kanë hapë për 51 ditë. Tash kam dëgjuar që Albini po vjen në fshatra dhe oda të Malishevës. Ku ishe në kohën kur Malisheva kishte nevojë për ty”, u shpreh Limaj.

Në adresimin me kritika ndaj rivalëve politikë, Limaj është ankuar edhe ndaj ish-deputetit të tij Haxhi Shala.

“Çka me thënë për Haxhiun, çka kish thanë Enveri, i ka bërë projektet tjetër kush. O Haxhi, unë ty të kam bërë e lëre projektet”, ka vazhduar Limaj.