Fjalë Kyçe

Limaj: S’jemi të interesuar për zgjidhje gjysmake, por qeveri të shumicës

Limaj: S’jemi të interesuar për zgjidhje gjysmake, por qeveri të shumicës

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se nuk janë të interesuar të kontribuojnë në zgjidhje gjysmake, por duan që të sigurohet një qeveri e shumicës.

Në konferencë për media pas dështimit të 51-të të konstituimit të Kuvendit, Limaj u shpreh se duhet pritur vendimi i Gjykatës Kushtetuese për t’i dhënë qartësi rrugës përpara dhe që raste të tilla të mos përsëriten.

“Qëndrimi i Nismës është që nuk besojmë në zgjidhje parciale, duam shumicë qeverisëse e cila e konstituon Kuvendin edhe krijon qeveri. Nisma nuk do të kontribuojë në zgjidhje gjysmake që pastaj do të shkaktonin zgjedhje”, ka thënë Limaj.

Kryetari i Nismës është takuar disa herë me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Së fundmi ata u takuan në fundjavë. Në konferencë për media para dy ditësh, Kurti u shpreh se deri në fund të javës do të dihet se a ka koalicion me Nismën.

Limaj ka thënë se kërkesa e presidentes Vjosa Osmani drejtuar Gjykatës Kushtetuese do ta sqarojë situatën për të ardhmen pasi, sipas tij, infrastruktura ligjore ka lënë zbrazëtira.

“Kërkesa e presidentes e ndihmon procesin, edhe aktualisht, edhe në të ardhmen. Infrastrukura jonë ligjore ka lënë zbrazëtira. Është në interesin e partive që të pritet mendimi i gjykatës. Nëse ka masë të përkohshme, të gjendet një zgjidhje”, ka thënë ai.