Fjalë Kyçe

Liria i shkruan Lazios për 5 për qindëshin e Muriqit

Liria i shkruan Lazios për 5 për qindëshin e Muriqit

Liria e ka ndërmend ta çojë deri në fund synimin e saj për ta marrë 5 për qindëshin e shitjes së Vedat Muriqit në Lazio, shkruan Gazeta Express.

Klubi kosovar i ka shkruar sot klubit italian, të cilin e ka furnizuar me informata dhe fakte që “Bardhezinjtë” janë klubi amë i 26 vjeçarit.

Ata konsiderojnë se kanë hise në shitjen e prizrenasit nga Fenerbahçe në Lazio për 18 milionë euro.

Kjo i bie që klubi nga Liga e Parë e Kosovës i kërkon afro 900 mijë euro, që i bie 5 për qind i shumës me të cilën u shit lojtari.

Liria ia ka bashkangjitur dokumenteve të dërguara në klubin nga Serie A, kontratën e futbollistit, procesverbalet e ndeshjeve ku është paraqitur dhe kartonin e futbollistit.

Më poshtë mund ta lexoni letrën që ia ka dërguar Liria Lazios sot.

“I dashur Presidenti i Klubit Lazio,

I dashur Sekretar i Përgjithshëm,

Së pari pranoni përshëndetjet tona sportive nga klubi i futbollit Lira nga qyteti i Prizrenit, Kosovë.

Arsyeja pse po ju shkruajmë juve ka të bëjë me transferimin e fundit të klubit tuaj për lojtarin Vedat Murici nga klubi i futbollit Fenerbahçe.

Ne dëshirojmë t’ju informojmë paraprakisht se futbollisti Vedat Murici, është një lojtar që është rritur dhe zhvilluar si futbollist nga akademia e shkollës sonë të futbollit.

Vedati Murici, ka luajtur në klubin tonë për herë të parë si një futbollist profesional (bashkangjitur ju keni kontratën e tij me klubin tonë të verifikuar nga Federata e Futbollit të Kosovës) për të vazhduar karrierën e tij të bujshme në Shqipëri dhe më pas në Turqi.

Pas konsultimeve me Federatën tonë të Futbollit dhe njohës të mirë të rregullave të FIFA-s po ju shkruajmë zyrtarisht, që gjatë procedurave të transferimit për lojtarin midis SS Lazio dhe Fenerhbahce SK, duhet të merrni parasysh gjithashtu kompensimet për klubin tonë gjithmonë sipas rregullave të parashikuara nga FIFA.

Si provë që lojtari në fjalë është rritur dhe doli si futbollist nga klubi ynë, ju mund t’i gjeni bashkangjitur këto prova:

1. Kontrata profesionale e lojtarit me klubin tonë

2. Pasaporta e lojtarit, lëshuar nga Federata e Futbollit e Kosovës

3. Letër konfirmimi nga Federata e Futbollit e Kosovës.

Shpresojmë që ju të merrni në konsideratë kërkesën tonë zyrtare, dhe duke përdorur personat kompetent për transferime nga klubi juaj, përveç detyrimeve të transferimit për KF Fenerhbahce, të përmbushni edhe detyrimet e parashikuara nga rregullat e FIFA-s për Klubin tonë.

Ndjehuni te lire te kontaktoni me Federaten e Kosoves. Duke ju uruar një kampionat të suksesshëm, ju dëshirojmë shëndet dhe fat. Me respekt, KF Liria, Qemal Krasniqi, Kryetar”, ka shkruar klubi kosovar.

Liria ndërkohë i ka angazhuar dy avokatë holandezë dhe e ka ndërmend ta ndjek rrugën juridikisht dhe ligjërisht për t’i nxjerrë paratë e 5 për qindëshit nga shitja e lojtarit kosovar në Lazio.