Fjalë Kyçe

Liridon Krasniqit i është realizuar ëndrra që të luajë për Malajzinë

Liridon Krasniqit i është realizuar ëndrra që të luajë për Malajzinë

Ish-futbollisti i përfaqësueses së Kosovës, Liridon Krasniqi, do të veshë fanellën e Malajzisë.

Ai është ftuar nga përfaqësuesja e Malajzisë për herë të parë dhe pritet të paraqitet në ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Botëror “Katari 2022”.

Krasniqi ndihet krenar me ftesën. Ai ka shkruar në “Instagram” se ka qenë ëndërr e tij që ta përfaqësoi Malajzinë.

“Dua të ndajë me ju një ëndërr që u bë realitet. Që kur fillova të luaja në Malajzi, ka qenë një ëndërr ta përfaqësoi këtë shtet, ku kam zhvilluar karrierën time profesionale që disa vjet. Ftesa e parë nga Malajzia për Kualifikime e Botërorit, më gëzon shumë dhe më jep një krenari të madhe. Dua të falënderoj Zotin, shokët e skuadrës, trajnerin dhe të gjithë që më kanë ndihmuar në këtë udhëtim që të rritem si lojtar dhe si person”, ka shkruar Krasniqi.

Ai është lojtar i klubit Johor Darul Ta’zim , por i huazuar te Newcastle United Jets.

Liridon Krasniqi ka qenë pjesë e Kosovës në kohën e Albert Bunjakit. Ai ka luajtur në tri ndeshje miqësore. 29-vjeçari që luan si mesfushor ka një ndeshje dhe me Shqipërinë U21.

Ndeshjen e parë kualifikuese për Botërorin “Katari 2022”, Malajzia do të luajë kundër Emirateve të Bashkuara Arabe me 3 qershor.