Fjalë Kyçe

Lirohet i akuzuari për vrasjen e 60-vjeçarit në Sharban, gjykata thotë se vrasja u krye në vetëmbrojtje

Lirohet i akuzuari për vrasjen e 60-vjeçarit në Sharban, gjykata thotë se vrasja u krye në vetëmbrojtje

3 vjet pas konfliktit në Sharban të Prishtinës, ku mbeti i vrarë një 60-vjeçar dhe u plagosën dy persona të tjerë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka liruar të akuzuarin Gëzim Rexhepin nga akuzat për vrasje dhe vrasje në tentativë, ndërsa e ka dënuar atë me 2 vjet burgim për veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas vendimit të gjykatës Rexhepi është liruar nga akuzat për vrasje në tentativë me arsyetimin se vrasja ishte kryer në rrethanat e mbrojtjes së nevojshme, raporton KOHA.

Por familja e viktimës thonë të jenë tronditur nga ky vendim i gjykatës, derisa shpresojnë se Apeli do ta ndryshojë këtë vendim..

Avokatja e familjes Rexhepi, Albana Kelmendi ka thënë se do ta apelojë vendimin e sotëm të gjykatës.

Por avokati i të akuzuarit, Mentor Neziri thotë se vendimi i sotëm i gjykatës u mor pasi u konstatua se vrasja ishte kryer në rrethanat e mbrojtjes së nevojshme.

Këtë të premte gjykata ka dënuar edhe katër të akuzuar të tjerë. Muharrem Rexhepi është dënuar me 1 vit burgim për veprën penale lëndim i lehtë trupor. Fadil Rexhepi është dënuar me 3 vjet burgim për veprën penale lëndim i rëndë trupor . Bedri Rexhepi është dënuar me 1 vit burgim për veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe Pajazit Rexhepi është dënuar me 300 euro gjobë për asgjësim të pasurisë.

Në këtë përleshje të armatosur që kishte ndodhur në tetor të vitit 2017 ishin të përfshirë pesë të akuzuar familjarë mes vete. Sipas aktakuzës, viktima dhe shoqëruesit e tij kishin shkuar te shtëpia e dorasit për shkak të një konflikti që kishte të bënte me prerje të malit. Nga përleshja mbeti i vrarë 60-vjeçari, ndërsa dy persona u plagosën.