Fjalë Kyçe

Liverpooli i Shaqirit thyen Newcastle-n, City humbet sërish, Tottenham shkatërron Bournemouth-in

Liverpooli i Shaqirit thyen Newcastle-n, City humbet sërish, Tottenham shkatërron Bournemouth-in

Liverpool ka mposhtur Newcastle me rezultatin 4-0 në “Anfield” dhe mbetet në krye të renditjes së Premier League.

Të besuarit e Jurgen Klopp kanë zhvilluar një tjetër ndeshje të mirë përpara tifozëve të tyre dhe kanë marrë tre pikë të rëndësishme në prag të dy ndeshjeve shumë të vështira që i presin, ndaj Arsenal dhe Manchester City.

Ishte qendërmbrojtësi Lovren ai që zhbllokoi rezultatin që në minutën e 11’ me një predhë nga brenda zonës. Pak minuta pas startit të pjesës së dytë Mohamed Salah ka dyfishuar rezultatin me një gol nga pika e bardhë e penalltisë. Në fund ishin edhe Xherdan Shaqiri me Fabinho që shënuan golat e nokautit pas pasimit të të rikthyerit Alexander-Arnold.

Manchester United ka vazhduar formën e mirë që tregoi ndeshjen e fundit ndaj Cardiff duke mposhtur Huddersfield 3-1 në “Old Trafford”. Skuadra e Solskjaer ka vuajtur në fillim për të gjetur hapësira, por pas golit të parë të shënuar nga Matic gjithçka ka qenë më e lehtë për vendasit.

Pas pushimit ishte dopieta e Paul Pogba që vulosi fitoren e dytë radhazi pas shkarkimit të Jose Mourinho-s. Megjithëse pëson një gol në fund të takimit, United ruan ritmin e kryesuesve dhe aktualisht ndodhet në vend të gjashtë.

Tottenham ka shpartalluar 5-0 Bournemouth në Wembley. Skuadra e Mauricio Pochettino-s ka shkëlqyer përsëri dhe me këtë fitore të madhe arrin të parakalojë Manchester City-n në renditjen e Premier League duke u ngjitur në vend të dytë.

Ishte Eriksen ai që zhbllokoi rezultatin përpara se Son dhe Lucas të siguronin tre pikët që në pjesën e parë. Pas pushimit ishte Harry Kane ai që shënoi golin e katërt ndërsa Son shënoi dopietën e tij në minutën e 70’ duke e kthyer Boxing Day në një festë të madhe për tifozët e Tottenham.

Manchester City ka pësuar humbjen e dytë radhazi në Premier League. Qytetarët janë mposhtur 2-1 nga Leicester në King Power Stadium dhe tani kanë zbritur në vend të tretë të renditjes. Ishin ata që kaluan të parët në avantazh me golin e Bernardo Silva-s, por Albrighton barazon rezultatin në fund të pjesës së parë. Teksa City po kërkonte golin e fitores, ishin vendasit ata që kanë shënuar me një gol fantastik të Ricardo Pereira-s në minutën e 81’. Një fitore e madhe për vendasit, ndërsa City zhytet në krizë.