Fjalë Kyçe

Liverpooli refuzon vendosjen në hotelin ku shkelen të drejtat e punëtorëve

Liverpooli refuzon vendosjen në hotelin ku shkelen të drejtat e punëtorëve

Liverpooli ka refuzuar të vendoset në një hotel luksoz të caktuar për të në Doha të Katarit, pasi ka zbuluar një seri të çështjeve të shkeljeve të të drejtave të njeriut që kanë ndodhur në këtë hotel me pesë yje.

Liverpooli do të jetë në Lindje të Mesme në dhjetor për të garuar në Botërorin e klubeve, në të cilin është kualifikuar pasi fitoi Ligën e Kampionëve në qershor.

Liverpoolit i është ofruar qëndrimi në “Marsa Malaz Kempinski”, një hotel luksoz në ishullin artificial Pearl-Katar, por skuadra angleze refuzoi këtë për shkak të së kaluarës së njollosur të hotelit.

Lajmi për refuzimin e Liverpoolit është bërë i ditur nga “The Athletic”, që ka treguar se skuadra mori këtë vendim pas informatave për të kaluarën e hotelit.

Në tetor të vitit 2018, një hetim i “The Guardian” kishte zbuluar se punëtorët emigrantë të punësuar në hotelin “Marsa Malaz Kempinski” po marrin paga nën minimale në Katar dhe po operohej në kundërshtim me ligjet e punës, transmeton Koha Ditore.

Punëtorët e sigurimit kanë punuar me ndërresa 12 orësh në temperatura deri 45 gradë celsius dhe merrnin afro dhjetë euro në ditë.
“The Athletic” ka raportuar se Liverpooli ka informuar FIFA-n dhe autoritetet e Katarit për vendimin e marrë dhe skuadra tash do të vendoset në një hotel tjetër në Doha.

Vendimi i Liverpoolit për të gjetur një akomodim alternativ vetë sigurisht se do të rrisë vëzhgimin ndaj Katarit për akuzat e shumta për shkelje të të drejtave të punëtorëve emigrantë.

Po ashtu është raportuar se FIFA dhe autoritetet e Katarit u janë përgjigjur të gjitha kërkesave të Liverpoolit deri më tash.

Një pjesë e madhe e turizmit në Katar është jashtë kontrollit të autoriteteve, ku shumë hotele udhëhiqen nga korporata globale. Këtu përfshihet edhe “Kempinski”.

Shteti është ende me mendje te përgatitjet për Botërorin 2022 të futbollit, ndërsa akuzat ende po përqendrohen te shkelja e të drejtave të punëtorëve në ndërtimin e stadiumeve për turneun.
Liverpooli pritet ta luajë përballjen e parë në Botërorin e klubeve më 18 dhjetor, duke u përfshirë në këtë turne nga faza gjysmëfinale.

Skuadra e Kloppit do të mësojë kundërshtarin pasi të përfundojë faza e plejofit dhe ajo çerekfinale.

Ndeshjet për vend të tretë dhe finalja do të zhvillohen tri ditë më vonë, të shtunën, më 21 dhjetor.