Fjalë Kyçe

Llapi synon përmbysjen e rezultatit ndaj Prishtinës

Llapi synon përmbysjen e rezultatit ndaj Prishtinës

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, vlerëson se ndeshja kthyese e gjysmëfinales së Kupës së Kosovës ndaj Prishtinës është jetike për ekipin e tij. Batatina beson se Llapi ka forcë për ta përmbysur rezultatin e ndeshjes së parë dhe të arrijë në finale të Kupës për herë të tretë në pesë vjetët e fundit.

Prishtina e ka fituar ndeshjen e parë në “Fadil Vokrri” me rezultatin 2:1, ndërsa të mërkurën nga ora 14:00 në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë luhet ndeshja e kthimit. Si Llapit, ashtu edhe Prishtinës u ka mbetur vetëm gara për Kupën e Kosovës. Në garë për titull të kampionit kanë mbetur prapa me pikë.

“Nuk është ndeshje e lehtë pasi na duhet ta përmbysim rezultatin. Ne do ta bëjmë maksimumin për t’ia dalë, pasi është ndeshje jetike dhe vendimtare për të arritur objektin për të kaluar në finale të Kupës. Prishtina është në formë optimale dhe ka fituar vetëbesimin në ndeshjet e fundit, por te Llapi është gjithçka në rregull. Duhet të jemi të kujdesshëm pasi loja duhet llogaritur që mund të mos mbyllet gjatë 90 minutave. Pra, mund të ketë edhe vazhdime, por edhe penallti”, ka thënë Batatina të martën për KOHËN.

Llapi humbi nga Prishtina 2:1 edhe në kuadër të xhiros së 27-të në Superligë, ndeshje që u zhvillua në fillim të këtij muaji. Por në kampionat Prishtina është prapa Llapit në tabelë. Ka gjashtë pikë më pak se Llapi, që zë vendin e katërt me 44 pikë. Prishtina është e pesta.

Llapi e Prishtina edhe në edicionin e kaluar ishin përballur në këtë fazë të Kupës. Llapi pati eliminuar Prishtinën, ndërsa në finale mposhti edhe Dukagjinin. Ishte hera e parë që Llapi fitoi trofe, të cilin synon ta fitojë sërish.

“Qëllimi ynë është të arrijmë në finale dhe ta ruajmë vendin e katërt. Pra, në të dyja garat ta kemi një vend që siguron daljen në Evropë. Është një ndeshje vendimtare për ne. Nuk është e pakalueshme Prishtina, por nuk do ta kemi aspak të lehtë. Kemi bërë punën tonë, kemi analizuar pikat e dobëta dhe të forta të kundërshtarit dhe do të jetë një ndeshje, besoj e përgatitur mirë. Po ashtu, do të jetë spektakël, pasi për herë të parë do të jetë një stadium i mbushur me shikues, pasi, siç dihet, pandemia na ka dëmtuar rëndë, si nga ana psikike, ashtu edhe financiare. Unë besoj se në fushë do të jetë një ndeshje e bukur për shikues”, është shprehur Batatina.

Ndërkohë, mbrojtësi i Prishtinës, Besnik Krasniqi, ka thënë se avantazhi i arritur në “Fadil Vokrri” nuk ofron komoditet për ndeshjen e kthimit në “Zahir Pajaziti”.

“E kemi një avantazh, por nuk duhet të jemi komod sepse është ndeshje shumë e fortë dhe duhet të jemi shumë të vëmendshëm të mos bëjmë gabime dhe në fund të kalojmë në finale të Kupës”, ka thënë Krasniqi të martën për KOHËN.

Prishtina është në seri të mirë të rezultateve. Ka arritur katër fitore dhe ka pësuar një disfatë në pesë ndeshjet e fundit.

“Mendoj se kemi filluar ta zhvillojmë lojën tonë në fushë. Atmosfera është e mirë dhe do të jetë një ndeshje shumë e mirë, pasi janë të gjitha kushtet për këtë. Ne do ta japim maksimumin për të arritur në finale të Kupës”, ka thënë Krasniqi.

Të mërkurën luhet edhe ndeshja tjetër kthyese e gjysmëfinales. Në Prishtinë, Ramiz Sadiku e pret Dritën. Skuadra gjilanase e mposhti Ramiz Sadikun në ndeshjen e parë me rezultatin 3:0.