Mbrojtësi i Lazios, Francesco Acerbi, ka thënë se lufta kundër kancerit të testikujve kishte bërë që ai ta ndalë konsumimin e alkoolit, gjë që e kishte filluar pasi i kishte vdekur babai.
31-vjeçari tani vlerësohet si njëri ndër mbrojtësit më të mirë në Serie A dhe në fillim të këtij viti arriti ta bëjë debutimin e tij për ekipin kombëtar të Italisë, transmeton Gazeta Express.
Mirëpo, në vitin 2013, Acerbi ishte përballur me një të ardhme të vështirë, pasi që testet mjekësore në parasezonin e Sassuolos zbuluan se ai e kishte një tumor në testikuj. Në mars të vitit 2014 ai zbuloi se jeta e tij nuk ishte më në rrezik, pas trajtimeve të kemoterapisë.
Megjithatë, ai tani thotë se kishte qenë pikërisht kjo betejë ajo që ia kishte kthyer atij vullnetin për jetë, pasi që kishte pasur vështirësi ta përballojë vdekjen e babait të vet gjatë kohës sa ishte në Milan, në sezonin 2012/13.
“Pasi babai më vdiq, unë u shkatërrova dhe isha në fundin e pusit. Isha në Milan dhe asgjë nuk më jepte vullnet. Nuk dija se si të luaj më”, ka thënë Acerbi në një intervistë të dhënë për La Repubublica. “Fillova të pi, pija gjithçka. Kanceri më shpëtoi. Unë kisha diçka për ta luftuar, një limit për ta kaluar”.
Tumori që u gjend në testet mjekësorë në Sassuolo, u largua me operacion menjëherë. Mirëpo, Acerbi u detyrua të bëjë hemoterapi pasi që ai tumor filloi të kthehej. Përderisa ai e di se një rrezik ekziston ende, ai thotë se nuk jeton më në frikë.
“Unë ndalova së frikësuari para gjashtë vjetësh. I thosha vetes, çfarë do të bësh nëse ajo kthehet? Pastaj përgjigjesha “do të luftoj sërish”. Tani i shoh gjërat qartësisht dhe e di se gjithçka mund të ndryshojë nga dita në ditë”, shtoi Acerbi.
“Unë madje them se sëmundja më përmirësoi, m’i largoi pendimet dhe hatërmbetjet. Ndalova së ëndërruari, tani preferoj t’i vendos vetes qëllime të arritshme. Unë doja për shembull të luaj për ekipin kombëtar dhe e arrita këtë gjë”.
Pasi që është ende 32-vjeçar, Acerbi mund ta vazhdojë karrierën e tij si mbrojtës edhe për një kohë. Mirëpo, pas kësaj, ai po fillon të mendojë për një karrierë si trajner. “Do të luaj futboll deri sa të bëhem 38-vjeçar. Pastaj dua të jem trajner”, përfundoi Acerbi.