Fjalë Kyçe

Lojtarët kyçë në finalen mes Argjentinës dhe Francës

Lojtarët kyçë në finalen mes Argjentinës dhe Francës

Lionel Messi do të jetë i pranishëm tek Argjentina dhe Kylian Mbappe në anën tjetër te Franca.

Që të dy do të luajnë në finale të Kupës së Botës.

Messi ka qenë edhe më herët në këtë fazë të garës, por humbi në vitin 2014 nga Gjermania. Mbappe e fitoi trofeun në vitin 2018 pasi shënoi gol kundër Kroacisë.

Sidoqoftë, asnjëri nga ta nuk do të mund ta fitojë i vetëm trofeun e çmuar në “Lusail Stadium”.

Këta janë disa prej lojtarëve kyç në të dyja përfaqësueset.

Argjentina

Lionel Messi

35-vjeçari Messi është zemra dhe shpirti i ekipit të Argjentinës si dhe golashënuesi më i mirë i turneut me pesë gola bashkë me Mbappen. Por Messi ka më së shumti asistime, tri. Sulmuesi i Paris Saint-Germainit po kërkon të krijojë diçka unike dhe e ka shansin që ta bëj një gjë të tillë. Trofeu i Kupës së Botës do të bënte që ai të ngrihej në të njëjtën pozitë me Diego Maradonën, nëse jo më lartë.

Julian Alvarez

Alvarez hyri si zëvendësues i Lautaro Martinezit përgjatë Kupës së Botës dhe shënoi katër gola në katër ndeshje si titullar tek Argjentina. Futbollisti 22-vjeçar i Manchester Cityt është vrapues i madh, i fuqishëm, ndërsa krijoi partneritet të shkëlqyer me Messin në fitoren 3:0 kundër Kroacisë në gjysmëfinale.

Emiliano Martinez

Martinezi, me gjatësi 193 centimetra, ka personalitet dhe maturi. “Dibu” do ta kishte përparësinë nëse ndeshja shkon në penallti. Portieri 30-vjeçar i Aston Villas ka bërë pritje vendimtare për Argjentinën në fitoren ndaj Holandës në ekzekutimin e penalltive në çerekfinale, ndërsa ishte i jashtëzakonshëm edhe në gjysmëfinale të Kupës së Amerikës vitin e kaluar.

Nahuel Molina

Molina është mbrojtës energjik, ashtu si të tjerët tek Argjentina. 24-vjeçari i Atletico Madridit po ashtu ka edhe instinkte sulmuese. Ai e pranoi topin nga Messi në golin që e realizoi ndaj Holandës.

Enzo Fernandez

Fernandez e nisi turneun si zëvendësues por mbeti në skuadër pasi shënoi me këmbët e tij të shpejta dhe me gjuajtjen e përkryer në fitoren e Argjentinës ndaj Meksikës. 21-vjeçari që luan te Benfica, do të mundohet ta ndalë Antoine Griezmannin të dalë përpara.

Lionel Scaloni (trajner)

Scaloni ishte asistent në Kupën e Botës 2018 – kur Argjentina u eliminua në një të tetën e finales nga Franca – dhe vlerësohet arkitekti i suksesit të argjentinasve. Ai bëri që Argjentina deri në Katar të mos pësonte disfatë në 35 ndeshje. Këtu përfshiheshin edhe duelet e Kupës së Amerikës në vitin e kaluar, trofe që u fitua nga Argjentina. 44-vjeçari Scaloni ka bërë që Messi të rrethohet nga mesfushorët e tjerë, në mënyrë që ai të lulëzojë.

Franca

Kylian Mbappe

Mbappe është futbollisti më i shpejtë i Francës dhe rreziku më i madh në fushën e lojës sa i përket golave. 23-vjeçari, që luan te Paris Saint-Germaini, ka po aq gola sa Messi në Kupën e Botës, pesë gjithsej. Një tjetër ndeshje e madhe e tij do ta rendiste te lojtarët më të mëdhenj të historisë së futbollit.

Antoine Griezmann

31-vjeçari Griezmann është ringjallur te Franca në këtë Kupë të Botës. Dikur shënonte gola si futbollist i krahut. Tani sulmuesi i Atletico Madridit ka marrë detyra shtesë defensive. Një duel mund të zhvillohet mes tij dhe Messit në mes të linjave të sulmeve të Argjentinës.

Hugo Lloris

Portieri 35-vjeçar i Tottenhamit synon të bëhet kapiteni i parë që fiton dy Kupa të Botës rresht. Një futbollist me pak fjalë, por shembull në aspektin e liderit. Ai e mban rekordin e Francës për paraqitje.

Raphael Varane

Në Botërorin e tretë, 29-vjeçari Varane pritet të luajë në qendër të mbrojtjes së Francës, që vazhdon të ndryshojë shkaku i lëndimeve dhe sëmundjeve. Katër herë fituesi i Ligës së Kampionëve me Real Madridin, është afër rikthimit të elegancës, pas dëmtimit të rëndë që e pati në muajin tetor.

Aurelien Tchouameni

Tchouameni erdhi në skenën e madhe të Botërorit në pozitën e mesfushorit, që para katër vjetësh e mbante Paul Pogba te Franca. Ai madje imitoi Pogban me gjuajtjen e fuqishme në golin që e shënoi ndaj Anglisë. Duke mësuar te Real Madridi këtë sezon e duke refuzuar thirrjen e Mbappes për t’iu bashkuar PSG-së, 22-vjeçari duhet të përgatitet mirë për duelin ndaj Argjentinës.

Didier Deschamps (trajner)

Në vitin e 11-të si përzgjedhës i Francës, Deschamps mund të bëhet vetëm trajneri i dytë që udhëheqë një skuadër drejt dy titujve në Kupë të Botës. Kjo gjë do të përsëritej për herë të parë që prej vitit 1938. 54-vjeçari Deschamps ka integruar lojtarët pa eksperiencë si zëvendësues të veteranëve, dhe nuk ka humbur sigurinë dhe qetësinë në skuadër.