Policia e Kosovës ka thënë se nuk ka ndonjë person të lënduar nga zjarri në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë se disa persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të vështirësimit të frymëmarrjes nga tymi, porse nuk ka ndonjë person të lënduar.
“Sot rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në rrugën ‘Afrim Loxha’ në Prishtinë, saktësisht në shtëpinë e pleqve. Në vendngjarje kanë dalë zjarrfikësit dhe policia të cilët po merren me rastin. Zjarri është lokalizuar dhe bazuar në informatat e deritanishme, raportohet për persona që kanë kërkuar ndihmë për shkak të vështirësimit të frymëmarrjes nga tymi, nuk ka ndonjë person të lënduar”, ka thënë Ahmeti.